
“Tensionet do të rriten” pas anëtarësimit të Finlandës në NATO, kështu ka paralajmëruar ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të Britanisë, Gjenerali Lord Richard Dannatt.
Paralajmërimi i tij vjen vetëm 2 ditë pasi Finlanda u bë anëtarja e 31-të e NATO-s.
Në një komunikim për Sky News, ai ka deklaruar se pret që NATO të bëjë dislokime parandaluese përgjatë kufirit finlandez rreth 1300 kilometra me Rusinë.
“Udhëheqësit perëndimorë duhet të theksojnë se NATO është thjesht një pakt mbrojtës. Putini mund të përpiqet t’i tregojë popullit të tij se NATO po zgjerohet, teknikisht kjo është e saktë, por pse po zgjerohet? Për shkak se ekziston një shqetësim në rritje midis vendeve si Finlanda dhe Suedia se Rusia përfaqëson një kërcënim për ta dhe prandaj nuk është e paarsyeshme që këto dy vende të kërkojnë mbrojtjen e përgjithshme të ombrellës së NATO-s”, u shpreh ai.
Në përgjigje të masës, Rusia ka thënë se do të forcojë kapacitetin e saj ushtarak në rajonet perëndimore dhe veriperëndimore, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve RIA.
“Do të ketë tensione dhe sigurisht ato tensione do të rriten, çuditërisht, kur në një moment në të ardhmen vendet e tjera të NATO-s do të bëjnë dislokime parandaluese në territorin finlandez përgjatë kufirit rus. Finlanda sjell “mbështetje morale” për NATO-n, në vend të kapacitetit ushtarak. Aleanca po merr përgjegjësi shtesë dhe kjo është gjëja e duhur. Jam “personalisht i kënaqur” që një gjë e tillë ka ndodhur”, citohet më tej në deklaratën e Lord Dannatt.
Lini një Përgjigje