Bota31 Mars 2023, 17:35

Frikë për destabilizim civil në SHBA, autoritetet marrin masa pas akuzave ndaj Trump

Shkruar nga Pamfleti

Frikë për destabilizim civil në SHBA, autoritetet marrin masa pas

Autoritetet po monitorojnë mediat sociale dhe po vlerësojnë kërcënimet që po postohen kundër organeve të zbatimit të ligjit. Ata po monitorojnë gjithashtu planet për protesta dhe trazira...

Ngritja e akuzave zyrtare ndaj Doland Trump ka shtuar frikën se mund të ketë destabilizim civil në SHBA. Pak javë më parë ishte Trump që kërkoi nga mbështetësit të dilnin në protesta sepse do e arrestonin dhe autoritetet i druhen faktit se ndalimi i tij mund të shoqërohet me trazira.

Sekretari i shtypit në Bahskinë e Nju Jorkut, Eric Adams, tha se për momentin nuk ka kërcënime të besueshme, por ai tha se janë duke u marrë masa. Sipas tij, Kryebashkiaku mbetet në "kontakt të vazhdueshëm" me komisionerin e policisë për çështjet e sigurisë publike.

"NYPD vazhdon të monitorojë të gjithë aktivitetin dhe nuk ka kërcënime të besueshme për qytetin në këtë moment. NYPD mbetet gjithmonë e përgatitur për t'iu përgjigjur të gjitha ngjarjeve që ndodhin në terren me qëllim garantimin e sigurisë për banorët e Nju Jorkut", tha ai.

Ndërkohë sot ka pasur një takim mes krerëve të shërbimeve sekrete dhe zyrtarëve të Policisë së Nju Jorkut (NYPD), për të shqyrtuar logjistikën dhe masat sa i takon arrestimit të Trump. Sipas CNN ata janë duke hartuar planin e ndalimit të tij, marrjen e shenjave të gishtave dhe si do të bëhet transportit për në sallën e gjyqit.

Përveç kësaj, autoritetet po monitorojnë mediat sociale dhe po vlerësojnë kërcënimet që po postohen kundër organeve të zbatimit të ligjit. Ata po monitorojnë gjithashtu planet për protesta dhe trazira.

Një juri e madhe e Nju Jorkut votoi të enjten pro ngritjes së një padie penale ndaj ish-Presidentit Donald Trump. Akuzat nuk janë bërë publike, por hetimet janë përqëndruar në pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, për të blerë heshtjen e ish-aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, për një marrëdhënie seksuale që ajo pretendon se ka patur me zotin Trump. Kjo shënon herën e parë në historinë e vendit që një ish-president akuzohet për kryerjen e një vepre penale. Ish-Presidenti Trump e cilësoi vendimin një gjueti shtrigash, dhe persekutim politik./Pamfleti

 

trum trazira shba protesta