Sipas raportimeve “oferta përfundimtare” e Trump përfshin njohjen nga Shtetet e Bashkuara të Krimesë si pjesë e Rusisë, njohjen jozyrtare të kontrollit rus mbi territoret e pushtuara pas vitit 2022, ndalimin e anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe heqjen e sanksioneve kundër Rusisë të vendosura që prej vitit 2014.
Gjermania i ka bërë thirrje Ukrainës të mos pranojë propozimin e fundit për paqe të presidentit amerikan Donald Trump, i cili sugjeron që Kievi të heqë dorë nga territore të mëdha në këmbim të një armëpushimi me Rusinë.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, deklaroi të dielën për transmetuesin publik ARD se një marrëveshje e tillë do të ishte e barasvlershme me një “kapitullim”. Sipas tij, ndonëse Ukraina mund të jetë e detyruar të bëjë disa kompromise territoriale për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm, ajo nuk duhet të pranojë kushtet e ofruara nga Trump.
“Ukraina padyshim e di se mund të duhet të heqë dorë nga një pjesë e territorit për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm që është rënë dakord me mirëbesim”, tha Pistorius. “Por ata sigurisht nuk do të shkojnë aq larg, ose nuk duhet të shkojnë aq larg, sa propozimi i fundit nga presidenti amerikan.”
Pistorius shtoi se propozimi i paraqitur nga Trump nuk sjell asnjë vlerë të shtuar për Ukrainën dhe se një marrëveshje e tillë mund të ishte arritur edhe një vit më parë, në kushte që ai i konsideron të papranueshme.
Sipas raportimeve, e ashtuquajtura “ofertë përfundimtare” e Trump përfshin njohjen nga Shtetet e Bashkuara të Krimesë si pjesë e Rusisë, njohjen jozyrtare të kontrollit rus mbi territoret e pushtuara pas vitit 2022, ndalimin e anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe heqjen e sanksioneve kundër Rusisë të vendosura që prej vitit 2014.
Komentet e Pistorius vijnë në një kohë kur në Washington po diskutohet seriozisht mundësia e vazhdimit të rolit ndërmjetësues në konflikt. Senatori amerikan Marco Rubio deklaroi së fundmi se administrata Trump po shqyrton nëse palët janë mjaftueshëm afër një marrëveshjeje për të justifikuar një investim të mëtejshëm diplomatik. Megjithatë, Rubio nuk specifikoi një afat përfundimtar për arritjen e një përparimi.
Ndërkohë Donald Trump ka thënë dje se ai mendon se homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky është i gatshëm t'i dorëzojë Krimenë Rusisë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje pavarësisht refuzimeve të mëparshme të Kievit për çdo propozim të tillë.
I pyetur nëse mendonte se presidenti ukrainas ishte gati të dorëzonte kontrollin e gadishullit të tij jugor, i cili u aneksua ilegalisht nga Rusia në vitin 2014, Trump u përgjigj: "Unë mendoj se po".
Trump i kërkoi gjithashtu presidentit rus Vladimir Putin të "ndalojë të shtënat, të ulet dhe të nënshkruajë një marrëveshje" për t'i dhënë fund luftimeve, duke sugjeruar se kjo mund të arrihet brenda dy javësh.
Ai i bëri komentet para gazetarëve pasi u kthye nga Vatikani, ku zhvilloi një takim të shkurtër me Zelensky përpara funeralit të Papa Françeskut.
Ukraina ka refuzuar në mënyrë të përsëritur të bëjë ndonjë lëshim territorial, duke theksuar se çështjet në lidhje me tokën duhet të diskutohen vetëm pasi të arrihet një armëpushim.
As Zelensky dhe as presidenti rus Vladimir Putin nuk i janë përgjigjur publikisht komenteve të fundit të Trump.
Lini një Përgjigje