Bota23 Maj 2023, 22:42

Gjykatësi cakton 25 marsin 2024, si datë për nisjen e gjyqit ndaj Donald Trump

Shkruar nga Pamfleti

Gjykatësi cakton 25 marsin 2024, si datë për nisjen e gjyqit ndaj

Një gjykatës caktoi të martën 25 marsin 2024, si datë paraprake për një gjyq ndaj ish-presidentit Donald Trump, e cila do të përkonte me kulmin e sezonit për zgjedhjet për kandidatin presidencial brenda Partisë Republikane.

Gjykatësi e njoftoi datën në një seancë ku zoti Trump mori pjesë përmes videos. Ai kishte deklaruar muajin e kaluar se ishte i pafajshëm për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit.

Në seancën e së martës, gjykatësi i Manhatanit, Juan Merchan shqyrtoi një urdhër që ndalonte ish-presidentin Trump të shpërndante publikisht disa prova të dorëzuara nga prokurorët.

Zoti Trump u lejua të mos paraqitej personalisht në gjykatë, për të shmangur sfidat e mëdha të sigurisë dhe logjistikës që shoqëruan shpalljen e akuzës ndaj tij muajin e kaluar.

Ish-presidenti republikan mund të flasë publikisht për çështjen penale, sipas urdhrit të gjykatësit Merchan, por ai mund të mbajë përgjegjësi për shpërfillje të gjykatës, nëse përdor provat e dhëna nga prokurorët kundër dëshmitarëve ose personave të tjerë të përfshirë në këtë çështje.

Zoti Trump deklaroi se ishte i pafajshëm më 4 prill për 34 akuza lidhur me falsifikim të të dhënave të biznesit në lidhje me pagesat që kompania e tij i kishte dhënë ish-avokatit të tij, Michael Cohen.

Prokurorët thonë se këto pagesa kishin për qëllim rimbursimin dhe kompensimin e zotit Cohen për kryerjen e pagesave në këmbim të heshtjes gjatë fushatës së vitit 2016 lidhur me akuza për marrëdhënie jashtëmartesore. Zoti Trump mohon të ketë pasur lidhje jashtëmartesore dhe thotë se ndjekja penale është e motivuar politikisht.

Urdhri i gjykatësit Merchan ndalon zotin Trump dhe avokatët e tij të shpërndajnë prova te palët e treta ose t'i postojnë ato në mediat sociale dhe kërkon që disa materiale të ndjeshme të shpërndara nga prokurorët të mbahen vetëm nga avokatët e zotit Trump, jo vetë ai.

Prokurorët kërkuan urdhrin nga gjykata menjëherë pas arrestimit të zotit Trump, duke përmendur atë që ata thonë se është prirja e tij për të bërë "deklarata ngacmuese, që vënë njerëzit në pozitë dhe kërcënuese" për njerëz me të cilët është angazhuara në mosmarrëveshje ligjore.

Gjykatësi Merchan, duke vënë në dukje statusin "të veçantë" të zotit Trump si ish-president dhe kandidat aktual, e ka bërë të qartë se urdhri mbrojtës nuk duhet të interpretohet si një urdhër për t’i mbyllur atij gojën dhe se zoti Trump ka të drejtë të mbrohet publikisht.

Avokatët e ish-presidentit Trump po kërkojnë që çështja e tij penale të transferohet në gjykatën federale. Derisa të vendoset nëse një gjë e tillë do të pranohet, ajo do të vazhdojë në gjykatën shtetërore. /VOA

trump gjyqi