
Nga një akt historik që ndihmoi në shkatërrimin e Perdes së Hekurt, drejt një shprese të re për ndaljen e luftës së Putinit në Ukrainë...
Ashtu siç historia ka treguar, shpesh janë aktet më të papritura të diplomacisë që hapin rrugën për ndryshime të mëdha. Një nga këto ishte Akti Final i Helsinkit, nënshkruar më 1 gusht 1975, i cili sot, në 50-vjetorin e tij, ngjall pyetjen nëse trashëgimia e tij mund të ringjallet për të ndalur agresionin rus në Ukrainë.
Në qendër të kësaj shprese qëndron OSBE; Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, një strukturë që, edhe pse nuk e ka ndalur dot Vladimir Putinin, mbetet e vetmja platformë ku SHBA, Ukraina dhe Rusia janë ende anëtare. Dhe kjo i jep një potencial unik për të ndërmjetësuar një paqe, kur momenti të jetë i pjekur.
Putini nuk ka ndërmend të dorëzojë projektin e tij për nënshtrimin e Ukrainës. Një armëpushim i mundshëm nga ana e tij do të ishte thjesht një pauzë për të rindërtuar forcat. Paqja reale do të kërkonte jo vetëm një ndërrim lideri në Kremlin, gjë që nuk garanton ndryshim kursi, por edhe shfaqjen e atyre zërave të heshtur në Moskë që aspirojnë një Rusi ndryshe, ashtu siç ndodhi me ardhjen e Gorbaçovit në vitin 1985.
Akti i Helsinkit, që dikur u përqesh nga skeptikët si një formalitet, rezultoi të ishte një katalizator për ndryshim. Ai i detyroi firmëtarët të respektonin të drejtat e njeriut, një precedent që, në fund, ndihmoi në çarjen e Perdes së Hekurt dhe në shpërbërjen e bllokut sovjetik.
Edhe pse sot Rusia ka shkelur thuajse çdo zotim të atij akti, nga mospërdorimi i forcës te respektimi i kufijve dhe të drejtave të njeriut, OSBE vazhdon të funksionojë. Me misione aktive në terren dhe përvojë të thellë në vëzhgimin e zgjedhjeve dhe parandalimin e konflikteve, organizata ka ende potencial për të ndërmjetësuar një proces paqeje në Ukrainë.
Nëse historia do të përsëritet si farsë apo si shpresë, kjo mbetet për t’u parë. Por në një botë gjithnjë e më të fragmentuar, rikthimi te parimet e Helsinkit mund të jetë i vetmi rrugëtim i mundshëm drejt një Evrope të sigurt dhe të bashkëpunueshme./Pamfleti
Lini një Përgjigje