Shtëpia e Bardhë pritet të zhvillojë një mbledhje për të rishikuar protokollet e sigurisë pas incidentit me armë të së shtunës gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve në Uashington, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti Donald Trump.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e masave të sigurisë, pasi një person i armatosur, 31-vjeçari Cole Tomas Allen, arriti të afrohej pranë sallës ku ndodheshin mbi 2,000 të ftuar, përfshirë presidentin dhe anëtarë të kabinetit. Sipas autoriteteve, ai qëlloi ndaj një agjenti federal, i cili mbante jelek antiplumb, përpara se të neutralizohej nga forcat e sigurisë.
Pavarësisht incidentit, Presidenti Trump ka shprehur mbështetje për Shërbimin Sekret, duke vlerësuar reagimin e tyre si efektiv në neutralizimin e kërcënimit dhe sigurimin e evakuimit të tij dhe stafit.
Megjithatë, një zyrtar i lartë konfirmoi se shefja e stafit në Shtëpinë e Bardhë, Susie Wiles, do të drejtojë një takim me përfaqësues të Shërbimit Sekret dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare për të analizuar procedurat ekzistuese dhe për të identifikuar masa shtesë për ngjarjet e ardhshme me profil të lartë.
Analiza do të fokusohet në mekanizmat që funksionuan për të ndalur sulmin, por edhe në boshllëqet e mundshme në kontrollin e aksesit dhe verifikimin e të pranishmëve. Raportimet tregojnë se pjesëmarrësit nuk u identifikuan individualisht dhe kaluan vetëm një pikë kontrolli me detektorë metalikë, disa nivele mbi hyrjen kryesore të sallës.
Ngjarja merr rëndësi të veçantë në kontekstin e kalendarit të ngjeshur të aktiviteteve presidenciale, që përfshin evente ndërkombëtare si Kupa e Botës dhe aktivitetet për 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Ndërkohë, senatori Chuck Grassley ka njoftuar se do të kërkojë një raportim nga drejtuesit e Shërbimit Sekret për të vlerësuar protokollet e sigurisë dhe reagimin ndaj incidentit.
Shërbimi Sekret mban përgjegjësinë për mbrojtjen e presidentit dhe eventeve me rrezik të lartë sigurie, ndaj ky rast pritet të ndikojë në rishikimin e standardeve operative për organizimin e aktiviteteve të mëdha publike.
Lini një Përgjigje