Bota15 Mars 2023, 21:34

Incidenti mbi Detin e Zi, shefi i Pentagonit i përgjigjet Rusisë: Objektet tona do të fluturojnë kudo që i lejon ligji ndërkombëtar

Shkruar nga Pamfleti
Incidenti mbi Detin e Zi, shefi i Pentagonit i përgjigjet Rusisë:
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin

Shefi i Pentagonit, Lloyd Austin u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të fluturojnë kudo ku e lejon ligji ndërkombëtar, teksa shtoi se diçka të tillë ja kishte bërë të qartë dhe Moskës, pasi kishte pasur një bisedë telefonike me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergej Shoigu.

Sapo mbarova një telefonatë me homologun tim rus, ministrin Shoigu. Siç e kam thënë vazhdimisht, është e rëndësishme që fuqitë e mëdha të jenë modele të transparencës dhe komunikimit dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të fluturojnë dhe të veprojnë kudo ku e lejon ligji ndërkombëtar," tha ai.

SHBA ka thënë se po punonte për deklasifikimin e pamjeve të vëzhgimit nga droni që do të tregonte rrëzimin e së martës.

Komentet e Austin erdhën menjëherë pasi kryediplomati rus Sergey Lavrov tha se Uashingtoni ishte i vetëdijshëm se Moska kishte vendosur kufizime të hapësirës ajrore mbi rajonin e Detit të Zi që nga fillimi i luftës. Fakti që Austin dhe Shoigu po bisedonin nënvizoi seriozitetin e incidentit mbi Detin e Zi.

Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, kontaktet mes dy liderëve ushtarakë kanë qenë të kufizuara, me zyrtarët rusë që refuzuan të pranonin thirrjet ushtarake amerikane në muajt e parë të luftës. Austin dhe Shoigu folën për herë të parë për pushtimin rus të Ukrainës në maj 2022. Në atë kohë ishte kontakti më i lartë SHBA-Rusi i luftës.

Në tetor, ata folën dy herë në tre ditë pasi kërcënimi i një përshkallëzimi ishte i lartë. Shoigu kishte akuzuar Ukrainën se planifikonte të përdorte një bombë të pistë, një pretendim që u hodh poshtë me forcë nga SHBA dhe aleatët e saj perëndimorë, të cilët akuzuan Rusinë se kërkonte një pretekst të rremë për të justifikuar përshkallëzimin e mëtejshëm, duke përfshirë potencialisht përdorimin e një arme taktike bërthamore.

shba rusi pentagoni