
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka sugjeruar që Ankaraja mund të ratifikojë së shpejti kërkesën e Finlandës për t'u bashkuar me NATO-n dhe të lejojë vendin që t'i bashkohet aleancës ushtarake veçmas nga Suedia.
Qeveria e Turqisë akuzon Suedinë se është shumë e butë ndaj grupeve që ajo i konsideron si organizata "terroriste" dhe kërcënime ekzistenciale, duke përfshirë grupet kurde.
Zyrtarët turq janë zemëruar gjithashtu nga një seri demonstratash në Suedi, duke përfshirë një protestë nga një aktivist anti-islamik që dogji Kuranin jashtë ambasadës turke. Ankaraja ka thënë megjithatë se ka më pak probleme me anëtarësimin e Finlandës.
I pyetur nga gazetarët të mërkurën nëse Turqia mund të ratifikojë anëtarësimin e Finlandës pas një vizite të presidentit finlandez, Sauli Niinisto këtë javë, Erdogan tha se do ta mbaj premtimin
"Dashtë Zoti, nëse është për të mirën. Sido që të jetë procesi, procesi do të funksionojë. Ne do të bëjmë pjesën tonë. Ne do ta mbajmë premtimin tonë. Ne do të takohemi me presidentin të premten dhe do të përmbushim premtimin që kemi bërë”, tha Erdogan.
Të alarmuar nga pushtimi rus i Ukrainës një vit më parë, Finlanda dhe Suedia braktisën dekada të mosangazhimit dhe aplikuan për t'u bashkuar me aleancën. Të 30 anëtarët e NATO-s kanë miratuar aplikimet e tyre dhe 28 kanë ratifikuar pranimin e tyre. Vetëm Turqia dhe Hungaria duhet ta bëjnë këtë ende.