TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Prill 2025, 12:23

Interesa të dyshimta politike dhe financiare: Donald Trump zgjeron perandorinë e tij me 19 projekte gjigande në botë

Shkruar nga Pamfleti

 Interesa të dyshimta politike dhe financiare: Donald Trump zgjeron

Në nisje të mandatit të dytë presidencial, Trump po përdor pushtetin politik për të shtuar fitimet e tij private në vende si Arabia Saudite, India, Serbia e Oman, duke krijuar një rrjet influencash të errëta që cenojnë transparencën e administratës amerikane

Organizata Trump po avancon me një plan ambicioz që përfshin 19 projekte të mëdha imobiliare jashtë Shteteve të Bashkuara, pikërisht në kohën kur Donald Trump ka filluar mandatin e tij të dytë si president amerikan. Një zgjerim që ngre shqetësime të mëdha për konflikt interesi mes politikës dhe bizneseve private.

Trump, pasuria personale e të cilit vlerësohej në 6 miliardë dollarë në nëntor 2024, ka zgjedhur t'i zhvendosë investimet kryesore drejt destinacioneve turistike dhe luksoze, pasi bizneset e tij në New York kanë pësuar një rënie të fortë. Një prej pronave ikonike, ndërtesa "40 Wall Street", ka 20% të hapësirës bosh.

Në listën e projekteve të Trump Organization jashtë vendit, përfshihen hotele dhe resorte turistike luksoze në vende si India, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uruguaj, Indonezi, Oman dhe Serbi, duke trefishuar kështu numrin aktual të pronave jashtë Amerikës.

Në një përpjekje për të minimizuar kritikat, kompania publikoi më 10 janar 2025 një të ashtuquajtur “Marrëveshje Etike”, duke premtuar kufizim të kontakteve financiare direkte të presidentit Trump me biznesin dhe monitorim nga një jurist i jashtëm për çdo transaksion mbi 10 milionë dollarë. Por kjo marrëveshje është më shumë një fasadë sesa një barrierë reale. Trump Organization është zotuar të mos bëjë marrëveshje "direkt me qeveri të huaja," por ka lënë rrugë të hapur për bashkëpunim me kompani private, të cilat në fakt varen nga miratimet qeveritare.

Në Oman, kompania e Trump po ndërton një resort dhe një fushë golfi në bashkëpunim me një grup të drejtuar nga qeveria e Omanit dhe investitorë të pasur nga Dubai, një projekt gjigand me vlerë miliona dollarë, i cili synon të tërheqë klientë të pasur nga Kina, Rusia dhe Irani.

Arabia Saudite është gjithashtu një partner strategjik, ku një kompani saudite me lidhje të ngushta me qeverinë po bashkëpunon në tre projekte gjigante. Madje fondi sovran saudit ka investuar 2 miliardë dollarë në kompaninë e Jared Kushner, dhëndrit të Trump.

Në Indi, Trump Organization synon të ndërtojë të paktën tetë “Trump Towers”, duke e kthyer Indinë në vendin me numrin më të madh të pronave me emrin Trump jashtë SHBA-së. Vizitat e shpeshta të zyrtarëve amerikanë, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance, tregojnë një lidhje të ngushtë mes politikës dhe biznesit.

Ndërsa në Serbi, ku konflikti i interesit është më i qartë, Donald Trump Jr. ka deklaruar mbështetje të hapur për presidentin Aleksandar Vuçiç, ndërkohë që Trump Organization po planifikon ndërtimin e një hoteli luksoz pikërisht mbi rrënojat e Ministrisë së Mbrojtjes, e bombarduar nga NATO para 26 vitesh.

Në këtë mënyrë, Trump duket se po përdor pushtetin presidencial për të çuar përpara interesat e biznesit familjar, duke ngritur kështu dyshime serioze mbi ndikimin e politikës amerikane në interes të xhepave të tij personalë. Kjo strategji e zgjerimit ndërkombëtar të bizneseve Trump është një këmbanë alarmi për demokracinë amerikane dhe transparencën e administratës së tij./Përgatiti Pamfleti

interesa të dyshimta donald trump 19 projekte gjigande

Lini një Përgjigje