Izraeli do të ndalojë sulmet ndaj Iranit, duke pranuar kërkesën e administratës amerikane, por nuk pritet të ndërpresë operacionet ushtarake në Libanin jugor.
Lajmi është konfirmuar për CNN nga dy burime izraelite, sipas të cilave Tel Avivi do të respektojë kërkesën e Uashingtonit për të mos vijuar goditjet ndaj Iranit.
Megjithatë, një prej burimeve e përshkroi situatën si “shumë të brishtë”, për shkak të paralajmërimit të Teheranit se do të sulmojë sërish Izraelin nëse ky i fundit vazhdon operacionet në Liban.
Më herët, Irani njoftoi pezullimin e operacionit të tij ushtarak kundër Izraelit, por e shoqëroi vendimin me një kërcënim të qartë: rifillimin e sulmeve në rast se Izraeli nuk ndal goditjet në Libanin jugor.
Në këtë kontekst, ndalja e sulmeve ndaj Iranit shihet si një hap për uljen e tensioneve të drejtpërdrejta mes dy vendeve, por vazhdimi i operacioneve në Liban mban të hapur rrezikun e një përshkallëzimi të ri rajonal.
Lini një Përgjigje