Një valë e re sanksionesh ndaj Rusisë duket se po merr formë në Kongresin Amerikan, tashmë edhe me mbështetjen e presidentit Donald Trump. Presidenti amerikan deklaroi të martën se ishte "i ngopur" me sjelljen e presidentit rus Vladimir Putin.
Senatori republikan Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, i cili është sponsori kryesor i projektligjit, konfirmoi se Trump i kishte dhënë "dritën jeshile" për të ecur përpara me procedurat.
"Po lëvizim përpara", tha Graham për Politico, duke shtuar se Trump i kishte thënë: "Është koha të veprojmë, prandaj do të veprojmë."
Graham ishte i shoqëruar nga udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thune, dhe disa senatorë të tjerë republikanë, të cilët njoftuan se gjatë kësaj jave do të bëhen publike detaje të mëtejshme për avancimin e planit. Ky zhvillim i fundit mund të hapë rrugën që projektligji, i cili ka mbetur pezull për një kohë të gjatë, të vihet më në fund për votim brenda këtij muaji.
Rritja e interesit për sanksione vjen pas deklaratave të forta publike të Trump të martën, ku ai la të kuptohej se po e merr seriozisht shqyrtimin e projektligjit dhe shfaqi pakënaqësi të thellë për refuzimin e Putinit për të nisur bisedimet për paqe me Ukrainën.
Në prapaskenë, senatori Graham dhe senatori demokrat Richard Blumenthal kanë punuar për të përfshirë amendamente që i japin më shumë hapësirë Trump-it për të pezulluar sanksionet. Ndërkohë që versioni fillestar i projektligjit parashikonte një periudhë përjashtimi prej 180 ditësh për vendet që blejnë naftë ose uranium rus, versioni i rishikuar shton një tjetër periudhë 180-ditore, për të cilën do të kërkohet miratim nga Kongresi.
"Jam i bindur se presidenti është gati të veprojë", theksoi sërish Graham.
Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë mbi deklaratat e Graham, duke iu referuar vetëm deklarimeve publike të Trump nga e njëjta ditë.
Sipas burimeve të njohura me diskutimet, sanksionet nuk pritet të shkojnë për votim këtë javë. Megjithatë, senatori Thune theksoi për gazetarët se po punon në koordinim të ngushtë me Shtëpinë e Bardhë dhe Dhomën e Përfaqësuesve për të përcaktuar kohën e saktë të veprimit. “Do të kemi më shumë për të thënë rreth kësaj më vonë gjatë javës,” tha Thune, duke nënvizuar se ekziston “shumë interes” për të çuar projektligjin përpara.
Lini një Përgjigje