
Presidenti amerikan, Donald Trump teksa mori pjesë në një ceremoni dhënieje medaljesh në Zyrën Ovale, foli për përpjekjet e vazhdueshme për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ai deklaroi para gazetarëve se sot janë më shumë se kurrë pranë një marrëveshje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë. Trump theksoi se bisedimet në Berlin me liderët europianë shkuan shumë mirë.
“Mendoj se tani jemi më afër se kurrë. Patëm një bisedë shumë të mirë një orë më parë me udhëheqësit evropianë në lidhje me luftën me Rusinë dhe Ukrainën. Patëm një diskutim shumë të mirë, gjërat duket se po shkojnë mirë, por e kemi thënë këtë për një kohë të gjatë", tha Trump.
Më tej Presidenti i SHBA-së deklaroi se ka folur me homologun e tij rus, Vladimir Putinin kohët e fundit, por nuk dha detaje mbi bisedat e tyre.
"Po, kam bërë biseda me të, gjërat kanë shkuar mjaft mirë. Po kemi mbështetje të jashtëzakonshme nga udhëheqësit evropianë, edhe ata duan që kjo të përfundojë. Në këtë moment, Rusia dëshiron t'i japë fund kësaj. Problemi është se të gjithë duan t'i japin fund dhe pastaj papritmas nuk do ta bëjnë. Duhet t'i bëjmë të gjithë të kuptojnë, por mendoj se kjo po funksionon... një bisedë shumë e mirë", shtoi Trump.
Lini një Përgjigje