Në takim marrin pjesë liderë që konsiderohen të afërt me qasjen politike të Trump ose vende që kanë interes të drejtpërdrejtë në zhvillimet në Gaza.
Këshilli i Paqes, i krijuar me iniciativë të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, mban sot takimin e tij të parë në Uashington. Fillimisht i konceptuar për rindërtimin e Rripit të Gazës, organi synon të marrë një rol më të gjerë në menaxhimin ndërkombëtar të krizave.
Në axhendë përfshihen çështje kyçe si çarmatimi i Hamasit, përcaktimi i fondit për rindërtimin e enklavës palestineze dhe garantimi i dërgimit pa pengesa të ndihmës humanitare në Gaza. Këto tema pritet të testojnë në praktikë efektivitetin e Këshillit në fazën e tij të parë të veprimit.
Në takim marrin pjesë përfaqësues nga 47 vende, megjithëse vetëm disa prej tyre kanë status të anëtarësisë së plotë. Bashkimi Evropian merr pjesë si vëzhgues. Rindërtimi i Gazës përbën misionin e parë zyrtar të Këshillit, i cili funksionon nën autoritetin e plotë të presidentit amerikan.
Takimi zhvillohet në “Institutin Amerikan të Paqes Donald J. Trump”, i riemëruar së fundmi në nder të presidentit të SHBA-së, dhe nis në orën 09:00 sipas kohës lokale( 15:00 në kohën tonë). Fjalime pritet të mbajnë, mes të tjerëve, Donald Trump, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, synohet sigurimi i angazhimeve financiare në vlerë 5 miliardë dollarë për Gazën, si dhe dërgimi i “mijëra” trupave në kuadër të një force stabilizimi. Megjithatë, çarmatimi i Hamasit, i konsideruar parakusht për vendosjen e kësaj force, mbetet një çështje komplekse dhe nuk pritet të realizohet në afat të shkurtër.
Një zyrtar i lartë amerikan deklaroi se administrata nuk ka “iluzione” për vështirësitë e procesit të demilitarizimit, por shtoi se mesazhet e ndërmjetësve kanë qenë inkurajuese. Një anëtar i Këshillit, duke folur në kushte anonimiteti, theksoi se plani për Gazën përballet me pengesa të mëdha, veçanërisht lidhur me palën që do të negociojë me Hamasin dhe me organizimin e shpërndarjes së ndihmës humanitare, të cilën e përshkroi si të pamjaftueshme dhe urgjente për t’u rritur.
Një strukturë paralele me OKB-në?
Përveç Gazës, Këshilli synon, sipas mandatit të shpallur, të garantojë “paqe të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”. Kjo ka nxitur diskutime nëse organi i ri mund të shihet si alternativë ose rival i OKB-së, të cilën Trump e ka kritikuar si joefektive.
Anëtarët e përhershëm duhet të kontribuojnë me 1 miliard dollarë për anëtarësim, çka ka sjellë kritika se Këshilli mund të funksionojë si një strukturë me pagesë, e ngjashme me Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, e ka cilësuar atë si “një OKB të re, ku Trump do të jetë autoriteti i vetëm”.
Sipas strukturës së parashikuar, presidenti amerikan ka kompetencën për të ftuar ose përjashtuar vendet anëtare.
Pjesëmarrja dhe qëndrimet
Në takim marrin pjesë liderë që konsiderohen të afërt me qasjen politike të Trump ose vende që kanë interes të drejtpërdrejtë në zhvillimet në Gaza. Izraeli përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Gideon Saar. Kryeministri hungarez Viktor Orbán dhe presidenti argjentinas Javier Milei konfirmuan pjesëmarrjen.
Nga vendet arabe, Egjipti përfaqësohet nga kryeministri Mostafa Madbouly dhe Jordania nga ministri i Jashtëm Ayman Safadi. Presidenti indonezian Praëirota Subianto ka shprehur gatishmërinë për të dërguar 8 mijë trupa në forcën e stabilizimit, ndërsa disa vende të Azisë Qendrore janë bashkuar gjithashtu.
Këshilli ka njoftuar pjesëmarrjen e Shqipërisë, Armenisë, Azerbajxhanit, Bjellorusisë, Bullgarisë, Kamboxhias, El Salvadorit, Kazakistanit, Kosovës, Mongolisë, Pakistanit, Paraguait, Uzbekistanit dhe Vietnamit.
Nga ana tjetër, disa aleatë tradicionalë perëndimorë dhe fuqi të mëdha të Jugut Global, përfshirë Brazilin, Indinë, Meksikën dhe Afrikën e Jugut, nuk e kanë pranuar ftesën. Italia dhe Gjermania marrin pjesë si vëzhgues, njësoj si Bashkimi Evropian, i përfaqësuar nga komisionerja Dubravka Suica. Megjithatë, Franca, Spanja, Belgjika dhe Irlanda kanë shprehur rezerva për këtë qasje.
Trump ka tërhequr ftesën për Kanadanë, ndërsa Vatikani ka refuzuar pjesëmarrjen. Kina, megjithëse e ftuar, nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe ka theksuar angazhimin e saj ndaj sistemit ndërkombëtar të bazuar në OKB. Japonia nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar, por sipas raportimeve pritet të dërgojë të dërguarin e saj për Gazën në takimin e sotëm.
Lini një Përgjigje