TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Maj 2025, 12:25

Kina po pret dobësimin e SHBA-së nga Trump, më pas do të sulmojë Tajvanin

Shkruar nga Tong Zhao

Kina po pret dobësimin e SHBA-së nga Trump, më pas do të

Pavarësisht stabilitetit afatshkurtër, po rritet gjithnjë e më shumë rreziku i një përplasjeje ushtarake SHBA-Kinë...

Në vitin 2021, në takimin e parë të diskutueshëm midis zyrtarëve të lartë të politikës së jashtme kineze dhe homologëve të tyre amerikanë të administratës Biden, diplomati më i lartë i Pekinit, Yang Jiechi, deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk mund të “flisnin më me Kinën nga pozitat e forcës”.

Deklarata, e cila e shqetësoi Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Antony Blinken dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së Jake Sullivan, ishte shumë domethënëse për të kuptuar perspektivën strategjike të Kinës. Në 4 vitet që pasuan, Pekini ka vepruar nën supozimin se është duke ndodhur një ndryshim i thellë në ekuilibrin e fuqisë midis dy vendeve.

Strategët kinezë, e perceptojnë si të përfunduar fazën e qasjes së “dobësisë strategjike”, që tregoi për dekada vendi i tyre në konkurrencën e saj me Shtetet e Bashkuara, nxitur nga përparimet e qëndrueshme në aftësitë industriale, teknologjike dhe ushtarake të Kinës, si dhe nga një rritje e ndikimit të saj në skenën ndërkombëtare.

Ky përparim, ka sjellë atë që Pekini e sheh si një “ngërç strategjik” në marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara, në të cilin të dyja kombet zotërojnë tani një fuqi të krahasueshme. Rizgjedhja e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, nuk e lëkundi optimizmin e Pekinit se mund t’i përballojë kërcënimet e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara, të sigurojë një ekuilibër të qëndrueshëm, dhe të garojë për supremacinë globale.

Dhe veprimet e hershme të mandatit të dytë të Trump, e kanë forcuar bindjen e Pekinit se Shtetet e Bashkuara po e përshpejtojnë rënien e tyre, duke afruar gjithnjë e më shumë një epokë të re barazie midis të mëdhenjve.

Perceptimi se Kina ka të ngjarë të mos përballet me një kërcënim ekzistencial nga Shtetet e Bashkuara, ka pasur një efekt stabilizues në politikën e Pekinit, që i është kundërpërgjigjur me durim përshkallëzimit të tensioneve tregtare nga Trumpi në prill, duke parashikuar se në fund  presidenti amerikan do të tërhiqet dhe ulë tarifat, në një përpjekje për të arritur një marrëveshje.

Megjithatë, pavarësisht rrezikut aktualisht të ulët për ndonjë konflikt të armatosur midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, ngërçi aktual mund të mos jetë i qëndrueshëm edhe për shumë kohë. Gjatë 4 viteve të ardhshme, ka të ngjarë të rritet rreziku i një krize ushtarake, ndërsa të dy vendet po testojnë gjithnjë e më shumë vendosmërinë e njëra-tjetrës. Kur mandati aktual i Trump t’i afrohet fundit, Kina do të ketë pasur mundësi të mjaftueshme për të rivlerësuar mjedisin politik të brendshëm të Shteteve të Bashkuara, angazhimin e saj ndaj Tajvanit, varësinë e ekonomisë globale nga industria gjysmëpërçuesve, ku ishulli është një lider botëror, dhe trajektoren e zhvillimit ekonomik dhe modernizimit ushtarak të Kinës.

Rreziku i një krize ushtarake SHBA-Kinë, mund të përshkallëzohet ndjeshëm nëse Pekini e ngushton më tej hendekun e aftësive me Uashingtonin, dhe percepton një indiferencë ndërkombëtare ndaj statusit të Tajvanit, zhgënjehet me përpjekjet jo-ushtarake për të bashkuar Tajvanin me Kinën, dhe parashikon një lidership më pro-Tajvanit në Uashington dhe Taipei.

Ajo që duket sot si një ngërç strategjik, mund të transformohet shpejt në diçka më të paqëndrueshme dhe të rrezikshme për të dy vendet. Pekini po pret kohën e tij, ndërsa Trump po e dobëson në mënyrë të njëanshme pozicionin e Shteteve të Bashkuara në botë.

Pavarësisht tarifave agresive të administratës Trump ndaj Kinës, shumë strategë kinezë e kanë minimizuar shqetësimin ndërkombëtar të shprehur shpesh, sipas të cilit lufta tregtare e rrit rrezikun e konfliktit ushtarak. Sipas tyre, tensionet e larta tregtare janë faza e parë e taktikës karakteristike negociuese të Trump: në fillim ushtro shumë presion, pastaj tërhiqu dhe arrij një marrëveshje.

Me sa duket, është e kënaqur që ta lërë të ecë përpara strategjinë e Trump, duke pritur që ajo të nisë të lëkundet ndërsa Shtetet e Bashkuara përballen me pasoja të rënda ekonomike dhe diplomatike. Pekini ka treguar po aq pak prirje për të filluar njw konflikt ushtarak afatshkurtër, madje edhe për çështje me interes thelbësor kombëtar, siç është Tajvani.

Gjithsesi, kjo vetëpërmbajtje është mbështetur nga një forcim i vazhdueshëm i ushtrisë, që përfshin forcat konvencionale dhe ato bërthamore, të cilat zyrtarët kinezë i shohin si jetike për ndryshimin e ekuilibrit të fuqisë me Shtetet e Bashkuara.

Fiksimi i Trumpit për “mbajtjen e kartave” në mosmarrëveshjet ndërkombëtare, vetëm sa përforcon bindjen e Pekinit se fuqia e fortë mbizotëron. Dhe ky i fundit beson se është në pozicionin e duhur për të fituar epërsinë.

Pavarësisht interesit të deklaruar të Trump për bisedimet mbi kontrollin e armëve me Kinën dhe Rusinë, zyrtarët në Pekin e shohin vendimmarrjen kaotike të Shtëpisë së Bardhë, si një pengesë për çdo marrëveshje të mundshme të madhe. Ata ndihen më pak të prirur të ndjekin masa bashkëpunuese në fushën e sigurisë, dhe po i japin përparësi zhvillimit të aftësive ushtarake të Kinës.

Ndërsa autoriteti global i Shteteve të Bashkuara po zbehet me shpejtësi, do të zvogëlohet presioni ndërkombëtar mbi Kinën për t'u bashkuar me bisedimet mbi kontrollin e armëve.

Forcimi ushtarak i Kinës dhe vlerësimi i saj për stanjacionin e Shteteve të Bashkuara, e kanë inkurajuar gjithashtu Pekinin të veprojë më me vendosmëri për të diktuar sjelljen e vendeve më të vogla në rajon.

Ndërsa po shkatërrohen kapaciteti dhe besueshmëria e Uashingtonit, Kina po i josh hapur aleatët e SHBA-së, si Australia, Japonia dhe Koreja e Jugut, ndërsa po vendos “vija të kuqe” më të forta rreth interesave të saj kryesore, ku më kryesori është Tajvani.

Edhe pse takimet e fundit të Partisë Komuniste Kineze, nuk kanë sugjeruar se është i afërt ndonjë veprim ushtarak kinez kundër ishullit, po rritet rreziku i një konflikti në një periudhë afatmesme. Vitet e fundit, strategjia e Pekinit ka evoluar nga parandalimi kryesisht i pavarësisë së Tajvanit, në ndjekjen aktive të bashkimit, duke kulmuar në planin e PKK-së të vitit 2021, “Strategjia e Përgjithshme për Zgjidhjen e Çështjes së Tajvanit në Epokën e Re”.

Detajet mbi të janë të kufizuara, por qasja e re duket se thekson rritjen e ndikimit të Kinës brenda shoqërisë tajvaneze, duke i nxitur ata ta shohin bashkimin si opsionin e tyre më pak të keq. Sipas autoriteteve në Tajvan, Pekini ka bashkëpunuar me organizatat e shoqërisë civile, partitë politike dhe tajvanezë më me ndikim për të minuar narrativat e Tajpeit, duke u shpërndarë karta identiteti qytetarëve tajvanezë dhe siguruar premtime për besnikëri nga oficerët ushtarakë tajvanezë.

Kina mund t’i shohë si legjitime masa të tilla, ndërsa kundërmasat e Tajvanit, siç është plani 17-pikësh i Lai-t për t’iu kundërvënë një infiltrimi të tillë, i duken Pekinit si akte sfide pro-pavarësisë, të cilat e kanë nxitur Kinën që të përshpejtojë inkursionet e saj ajrore dhe detare dhe të kryejë stërvitje ushtarake më të mëdha e më të guximshme.

Pekini ka pak shpresë se një udhëheqës pro-kinez, do të fitojë zgjedhjet presidenciale të Tajvanit në vitin 2028, duke rritur gjasat e përshkallëzimit të situatës me Taipein. Edhe masat jo-ushtarake të bashkimit të konsideruara nga Pekini si paqësore, mbartin rrezikun e përshkallëzimit ushtarak në një konflikt të plotë, që mund të tërheqë Shtetet e Bashkuara.

Dhe mungesa e prioriteteve të qarta të politikës së jashtme nga ana e Trumpit, e rrit më tej këtë rrezik. Ngurrimi i tij për t’u angazhuar në konflikte me një fuqi të madhe, mungesa e interesit në mbrojtjen e demokracive të tjera dhe angazhimi i dobët ndaj Tajvanit, janë shumë domethënëse për zyrtarët kinezë.

Shumë zyrtarë dhe analistë në Pekin, dyshojnë se nëse ndonjë president amerikan mund ta tolerojë në heshtje pushtimin me forcë të Tajvanit nga Kina, ai është Trump. Stërvitjet ushtarake të Kinës në fillim të prillit në Ngushticë, shërbyen pjesërisht si një provë e vendosmërisë së tij.

Dënimet verbale të administratës Trump nuk i bënë përshtypje Pekinit. Edhe mekanizma të tjerë frenues po zbehen me shpejtësi. Ndërsa SHBA-ja po angazhohet në një presion të hapur ndaj aleatëve dhe kundërshtarëve, shtetet më të vogla në rajon e më gjerë përballen me dilema të reja.

Ato kanë më pak stimuj për t’iu kundërvënë Kinës, veçanërisht pasi ajo pozicionohet si një fuqi globale relativisht më e parashikueshme dhe më pak shkatërruese, dhe që vazhdimisht e tejkalon Shtetet e Bashkuara në rritjen ekonomike dhe ushtarake. Zyrtarët e lartë të Departamentit të Mbrojtjes, nuk janë plotësisht të një mendjeje mbi rëndësinë e Tajvanit për strategjinë e SHBA-së.

Për shembull, Elbridge Colby, shefi i politikave të Pentagonit, ka thënë se “amerikanët mund të mbijetojnë edhe pa të”, dhe po kërkon një strategji për të penguar dominimin rajonal të Kinës. Angazhimi i lëkundur i Trump ndaj Tajvanit, rrezikon ta bëjë të kotë çdo lloj përgatitjeje./ Përshtati "Pamfleti" nga “Foreign Affairs”

Lini një Përgjigje