
Dikush mund të mendojë se pavarësisht gjykimeve mbi metodat, Amerika e Trumpit ka arritur me Kievin një marrëveshje thelbësore që është më pak e paqartë sesa një partneritet!
Arritja e marrëveshjes së bashkëpunimit mbi nxjerrjen e pasurive nëntokësore midis Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës pas përpjekjes së tretë, teksa mundësia e saj u duk sikur ishte zbehur në momentin e fundit në muajt shkurt dhe prill, ka nxjerrë në pah një humbëse të madhe: Evropën.
Në fakt, nga cilado perspektivë që ta shohësh, partneriteti midis Kievit dhe Uashingtonit i distancon vendet kryesore të Kontinentit të Vjetër nga mundësia e një bashkëpunimi strategjik të Bashkimit Evropian dhe shteteve të tij anëtare me një shtet, që ka një rol shumë të rëndësishëm për arsye ekonomike dhe gjeopolitike, dhe evolucioni i të cilit pas përfundimit të luftës me Rusinë, do të jetë para së gjithash një shqetësim i bllokut.
Kievi ka arritur të paktën 3 rezultate të rëndësishme, krahasuar me përcaktimet fillestare të marrëveshjes. Së pari, ka rënë lidhja e drejtpërdrejtë midis ndihmës së ofruar nga SHBA-ja për rezistencën ukrainase në terren, dhe shfrytëzimit të burimeve minerale të Kievit nga ekonomia amerikane.
Së dyti, konsiderohet e nevojshme mundësia e investimeve kapitale amerikane për të zgjeruar prodhimin vendas ukrainas. Kjo i hap rrugën bashkëpunimit publik-privat, që potencialisht mund të rrisë konkurrencën dhe të zvogëlojë pushtetin e oligarkëve kundër të cilëve presidenti Volodymyr Zelensky ka nisur një betejë të fortë, edhe pse të shoqëruar me shumë kontradikta.
Së treti, Uashingtoni fiton një pikëmbështetje me të cilën mund të ndikojë në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht tek ato evropiane, për burimet më të rëndësishme të nëntokës ukrainase.
Për më tepër, në kohë luftërash tregtare, është jetike që Shtetet e Bashkuara të hapin një kanal furnizimi me asete strategjike për industrinë e tyre civile dhe ushtarake, të cilën rrezikon ta ndërpresë lufta e tarifave tregtare me Kinën.
Dhe në një kontekst ku Amerika kishte më shumë nevojë për këtë marrëveshje se sa në shkurt, kur Donald Trump dhe Zelensky u përplasën verbalisht në Shtëpinë e Bardhë, kjo është një fitore e shpejtë ndaj një Evrope që me Ukrainën kishte nënshkruar tashmë një deklaratë qëllimesh për të zhvilluar së bashku sektorin minerar të vendit të pushtuar nga Rusia prej 4 vitesh, por që nuk e ka inkurajuar kurrë politikisht këtë gjë.
Dhe siç vëren Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), “Ukraina do të kontribuojë me 50 për qind të të ardhurave nga shfrytëzimi i projekteve të reja të minierave, naftës dhe gazit”, me një ndryshim të rëndësishëm që “projektet aktuale, të tilla si ato të prodhuesve më të mëdhenj të naftës dhe gazit në vend, Naftogaz dhe Ukrnafta, do të përjashtohen nga kontributi në këtë fond”.
CSIS thekson se “kjo do të thotë që rentabiliteti i fondit do të varet nga suksesi i investimeve të reja në burimet ukrainase”, ku SHBA-të do të investojnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të burimeve për të nxitur investimet e fondit, të cilat “synojnë të stimulojnë më tej interesin e sektorit privat për të investuar në burimet ukrainase dhe për të tërheqin kapitalin e nevojshëm për rindërtimin dhe zhvillimin e burimeve të vendit”.
Dikush mund të mendojë se pavarësisht gjykimeve mbi metodat, Amerika e Trumpit ka arritur me Kievin një marrëveshje thelbësore që është më pak e paqartë sesa një partneritet, të cilin Evropa ka pasur 4 vjet kohë për ta vërtetuar.
Në këto kushte, është e nevojshme të pyesim përse vende si Italia, Franca, Britania e madhe dhe Gjermania, nuk i kanë angazhuar kompanitë e tyre të mëdha të minierave dhe energjisë për të hyrë me forcë në një sektor kaq të rëndësishëm dhe për të ndërtuar zinxhirë vlerash konvergjente, të fortë dhe të aftë për të bashkuar Evropën dhe Ukrainën në një mënyrë strategjike dhe ekonomike.
Tani, Amerika do të jetë gati ta përdorë këtë marrëveshje si një levë gjeopolitike ndaj Kievit, dhe si një instrument presioni ekonomik mbi partnerët e saj evropianë, të cilët do të duhet të kalojnë përmes Uashingtonit për të përfituar edhe ata nga burimet më të rëndësishme nëntokësore të Ukrainës, thelbësore për industrinë dhe prodhimin.
Një argument tjetër kundër një BE-je, e cila për shkak të mangësive të veta, e gjen shpesh veten jashtë kontaktit me pjesën tjetër të botës sa i përket diplomacisë dhe politikës së jashtme./ Përshtati "Pamfleti" nga “Inside Over”
Lini një Përgjigje