Një prej anëtarëve të grupit koordinues të 27 protestave të zhvilluara në Tiranë, Ilir Xhemalaj, ka bërë publik planin që, sipas tij, synon të ndiqet në rast se plotësohen kërkesat e protestuesve.
Në një intervistë për Report Tv, Xhemalaj tha se kushti i parë dhe i panegociueshëm mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, "e kastës së tij" dhe tërheqja nga dominimi i opozitës, i kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Ai deklaroi se pas krijimit të një qeverie teknike, e cila sipas tij duhet të zgjasë 12 muaj, nuk përjashtohet edhe shpërndarja e Parlamentit, ndërsa më pas do të ndërmerren ndryshime kushtetuese, veçanërisht për ato të vitit 2008.
"Ndoshta në një moment të dytë mund të kërkojmë dhe shkrirjen e parlamentit pas qeverisë teknike, por për momentin duhet për qeverinë teknike. Pastaj do vazhdojmë me disa elementë të Kushtetutës që duhet të ndryshihen, sidomos ndryshimet e vitit 2008.
Kuvendi në radhë të parë paraqet vullnetin e popullit dhe populli sot ka dalë në shesh. Të gjitha këto kërkesa kanë dalë nga ai shesh dhe ai shesh ka disa të deleguar në parlament që duhet të dëgjojnë popullin, por kjo nuk ndodh, sepse ata i përgjigjen vetëm një njeriu", tha Xhemalaj.
Sipas Xhemalajt, pushteti do t'i kalonte një Asambleje Qytetare me 300-400 anëtarë, nga e cila më pas do të zgjidhej një këshill që do të kishte rol në përcaktimin e qeverisë dhe të ndryshimeve kushtetuese. Ai tha se anëtarët e kësaj asambleje duhet të jenë persona të papërlyer, që nuk kanë përfituar tendera korruptivë dhe nuk kanë mbajtur poste drejtuese në shtetin shqiptar prej disa vitesh.
"Po dhe në këtë pjesë në këtë pjesë ne kemi menduar një kuvend le të themi qytetar ose një asamble qytetare po me 300 400 veta në fillim nga të cilët disa prej tyre sepse ne nuk mund të njohim të gjithë njerëzit që janë në atë shesh", tha Xhemalaj.
Lini një Përgjigje