
Komisioni është i gatshëm të pranojë një marrëveshje tregtare me SHBA-në që do të përfshinte një tarifë universale prej 10% mbi eksportet e saj, por dëshiron që Uashingtoni të angazhohet për tarifa më të ulëta në sektorë kyç si farmaceutika, pijet alkoolike, gjysmëpërçuesit dhe avionët komercialë.
Konkretisht, sipas një raporti të Bloomberg , BE-ja po ushtron presion mbi SHBA-në për kuota dhe përjashtime, me qëllim uljen ndjeshëm të tarifës prej 25% që Uashingtoni ka vendosur mbi makinat dhe pjesët e tyre, si dhe tarifën prej 50% mbi çelikun dhe aluminin.
Komisioni Evropian, i cili është përgjegjës për çështjet tregtare të BE-së, e sheh këtë marrëveshje si paksa të favorshme për SHBA-në, por ende beson se është diçka për të cilën mund të bjerë dakord, vunë në dukje burimet.
Afati i fundit
BE-ja ka afat deri më 9 korrik për të arritur një marrëveshje tregtare me administratën Trump përpara se tarifat të rriten në 50%.
Presidenti i SHBA-së ka vendosur tarifa për pothuajse të gjithë partnerët tregtarë të vendit, duke thënë se dëshiron të sjellë prodhimin industrial në vend, të financojë zgjerimin e lehtësirave tatimore dhe të ndalojë vendet e tjera të përfitojnë nga SHBA-ja.
Çdo marrëveshje do të mbulonte gjithashtu barrierat tarifore dhe jo-tarifore, blerjet e mallrave kryesore amerikane dhe do të bënte referencë në fushat e bashkëpunimit strategjik, sipas burimeve.
Bisedimet vazhdojnë
Shefi i tregtisë i BE-së, Maros Sefcovic, do të udhëheqë një delegacion në Uashington këtë javë për të provuar t'u japë një shtysë bisedimeve, thanë të njëjtat burime.
Unioni ende beson se një marrëveshje në parim mbetet skenari më i mirë i mundshëm, por zyrtarët nuk kanë arritur të sqarojnë se për sa kohë do të jenë në fuqi marrëveshje të tilla të përkohshme, ndërsa negociatat vazhdojnë.
Qëllimi i BE-së
BE-ja kërkon të adresojë barrierat jo-tarifore kryesisht përmes "axhendës së thjeshtimit" dhe ka propozuar mundësinë e blerjeve strategjike në sektorë të ndryshëm, siç janë gazi natyror i lëngshëm dhe teknologjitë e inteligjencës artificiale.
Bashkimi është gjithashtu i hapur për të bashkëpunuar me SHBA-në mbi sfidat e përbashkëta të sigurisë ekonomike.
BE-ja vlerëson se tarifat e SHBA-së tani mbulojnë 380 miliardë euro në eksportet e saj në SHBA, ose rreth 70% të totalit të eksporteve të saj në tregun amerikan.
Lini një Përgjigje