Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, mbajti një fjalim me tone optimiste në Konferencën e Sigurisë në Mynih, duke theksuar nevojën për një Evropë më të fortë, më të bashkuar dhe me rol vendimtar në çështjet globale, veçanërisht në lidhje me Ukrainën dhe arkitekturën e ardhshme të sigurisë në kontinent. Që në fillim, Macron tha se kishte ardhur me “një mesazh shprese dhe vendosmërie”.
“Kur disa shohin kërcënime, unë shoh guximin tonë; kur disa shohin dyshime, dua të shoh mundësi, sepse besoj se Evropa është në thelb e fortë dhe mund të bëhet edhe më e fortë”, deklaroi ai.
Ai vuri në dukje se së fundmi ka pasur përpjekje për të anashkaluar ose kritikuar Evropën. Sipas tij, kontinenti është përshkruar si një konstruksion i plakur, i ngadaltë dhe i fragmentuar, si një ekonomi e mbirregulluar që shmang inovacionin, si një shoqëri e brishtë përballë migrimit, madje edhe si një hapësirë ku liria e fjalës vihet në dyshim. Macron tha se synon të ofrojë “një këndvështrim krejtësisht të ndryshëm”.
Presidenti francez e përshkroi Bashkimin Evropian si një ndërtim politik rrënjësisht origjinal të shteteve të lira dhe sovrane, duke mbrojtur trashëgiminë politike të Evropës së pasluftës. Ai përsëriti se BE-ja duhet të funksionojë me sukses nëse dëshiron të mbetet tërheqëse për vendet që aspirojnë anëtarësimin, përfshirë ato nga Ballkani Perëndimor.
Macron pranoi se Evropa duhet të përmirësojë shumë aspekte të funksionimit të saj, por theksoi se debatet e brendshme duhet të zhvillohen me përgjegjësi.
“Të gjithë duhet të marrin shembull nga ne, në vend që të na kritikojnë ose të përpiqen të na përçajnë. Le të flasim për detyrat e shtëpisë pas dyerve të mbyllura dhe le t’i realizojmë”, tha Macron.
Duke folur për luftën në Ukrainë, Macron argumentoi se Evropa ka rritur ndjeshëm mbështetjen për Kievin dhe ka ndërtuar një koalicion vendesh të gatshme për të ofruar garanci sigurie. Ai kritikoi qëndrimet që, sipas tij, nxisin dorëzimin e Ukrainës.
“Nëse i marrim katër vitet e fundit, Rusia, pas pushtimit të Ukrainës, është një vend i dobësuar. Kur dëgjoj ndonjë fjalim disfatist për Ukrainën, kur dëgjoj disa udhëheqës që i bëjnë thirrje Ukrainës të pranojë se disfata është e mundur, duke e mbivlerësuar Rusinë në këtë luftë, ky është një gabim i madh strategjik, sepse kjo nuk është realitet. Një ditë, rusët do të duhet të përballen me madhësinë e krimit të kryer në emrin e tyre… por derisa të vijë ajo kohë, ne nuk do ta ulim vigjilencën”, u shpreh ai.
Ai theksoi se çdo zgjidhje duhet të mbrojë Ukrainën, të ruajë sigurinë evropiane dhe të mos krijojë precedent të rrezikshëm ndërkombëtar.
“Nuk ka paqe pa evropianët. Mund të negociosh pa evropianët, nëse preferon, por kjo nuk do të sjellë paqe në tryezë”, deklaroi presidenti francez.
Sipas Macronit, Evropa duhet të rivendosë kanale diplomatike me Rusinë dhe të hartojë “rregullat e bashkëjetesës” për periudhën pas luftës. Ai kujtoi se në të kaluarën, marrëveshje të rëndësishme sigurie janë arritur pa praninë e drejtpërdrejtë të evropianëve në tryezë. Gjithashtu bëri thirrje për konsultime të gjera me partnerët evropianë dhe për projekte të përbashkëta në fushën e mbrojtjes, duke paralajmëruar se zgjidhjet thjesht kombëtare do të sillnin humbje kohe dhe burimesh.
“Ne duhet të jemi ata që do të negociojmë këtë arkitekturë të re sigurie për Evropën e nesërme, sepse gjeografia jonë nuk do të ndryshojë. Këto janë para evropiane dhe do të përdoren për zgjidhje dhe programe evropiane”, tha ai, duke iu referuar mekanizmave të financimit si SAFE.
Macron përmendi gjithashtu diskutimet me Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar për një brez të ri raketash me rreze të gjatë veprimi dhe la të hapur debatin për dimensionin bërthamor evropian, për të cilin premtoi sqarime në javët në vijim.
Në pjesën e fundit të fjalimit, Macron kërkoi që Evropa të tregojë “angazhim të palëkundur për të mbrojtur interesat” e saj, duke përmendur edhe tarifat tregtare dhe pretendimet territoriale që i konsideroi të pajustifikuara.
“Nëse duam të na marrin seriozisht… duhet t’i tregojmë botës angazhimin tonë të palëkundur për të mbrojtur interesat tona”, tha ai, duke shtuar se kjo përfshin mbështetjen për Ukrainën, por edhe reagimin ndaj tarifave apo pretendimeve të padrejta.
Macron trajtoi edhe çështjen e rregullimit të mediave sociale dhe luftës kundër dezinformimit. Sipas tij, liria e fjalës nuk përjashton rregullimin.
“Si është e mundur që narrativat më të çmendura dhe më të dëmshme mund të kalojnë pa u kontrolluar në hapësirën tonë dixhitale? Kur ke liri fjale, ke respekt, ke rregulla – dhe kufiri i lirisë sime është fillimi i lirisë tënde”, deklaroi Macron, duke mbështetur zbatimin e Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së dhe masa si transparenca e algoritmeve dhe parimi një person, një llogari.
Në sesionin e pyetjeve, Macron tha se Evropa duhet të “riorganizojë arkitekturën tonë të sigurisë”, e cila sipas tij mbetet e ndërtuar mbi logjikën e Luftës së Ftohtë. I pyetur pse nuk është i gatshëm të dërgojë trupa në Ukrainë përpara një marrëveshjeje paqeje, ai argumentoi se një hap i tillë do të rrezikonte përshkallëzim dhe përçarje brenda Evropës.
Ai shtoi se nuk sheh prova që Rusia është serioze për paqe, ndërsa vazhdon sulmet dhe kërkon lëshime nga Kievi. Sipas tij, prioriteti duhet të jetë riangazhimi me SHBA-në, shtimi i sanksioneve dhe masa kundër flotës ruse në hije.
“E kuptoj dhe e respektoj plotësisht faktin se kjo pikëpamje nuk është ideale për ju, por mendoj se është e besueshme dhe, në planin afatshkurtër, skenari më i mirë i mundshëm”, përfundoi Macron./Pamfleti
Lini një Përgjigje