Rusia dikur dukej e qëndrueshme dhe e fuqishme, por pushtimi i Ukrainës e ka zhytur në izolim dhe varësi nga Kina. Ndërkohë, Trump po e përdor kaosin global për të forcuar ndikimin amerikan, duke e lënë Putinin gjithnjë e më të dobësuar dhe të fiksuar pas një lufte të pafund…
Në prag të pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, Rusia gëzonte një pozicion të lakmueshëm në arenën ndërkombëtare. Ajo kishte një partneritet të fortë me Kinën, lidhje të gjera ekonomike me Evropën dhe një marrëdhënie pune, ndonëse të tensionuar, me Shtetet e Bashkuara.
Ajo nuk dominonte shumë vende (përveç Bjellorusisë), por kishte pak armiq të hapur dhe ushtronte ndikim përtej kufijve të saj. Më shumë sesa një fuqi në ngritje apo në rënie, Rusia dukej e qëndrueshme dhe e pandryshuar.
Gjithçka ndryshoi me pushtimin e Ukrainës. Evropa dhe SHBA-ja u kthyen menjëherë në kundërshtarë të Moskës, ndërsa Kremlini e humbi ndikimin diplomatik në Evropë dhe u bë tejet i varur nga Kina.
Lufta ka përthithur pjesën më të madhe të kapacitetit ushtarak rus, duke e bërë të vështirë kontrollin e ngjarjeve në rajone të tjera. Për pasojë, Rusia mbeti thjesht vëzhguese teksa aleatët e saj, si Bashar al-Assad në Siri apo Nicolás Maduro në Venezuelë, u dobësuan.
Madje, edhe vetë lufta nuk ka ecur sipas planit. Pas 4 vitesh luftë, Ukraina kontrollon ende 80 për qind të territorit të saj. Megjithatë, Moska nuk është gati të pranojë dështimin. Nëse presidenti amerikan Donald Trump nuk arrin ta bindë Putinin të ndalë luftën - një skenar gati i pamundur - Rusia ka gjasa të intensifikojë përpjekjet për ta nënshtruar Ukrainën. Putini e ndjen nevojën që të mbajë diku vijën e frontit, duke e parë luftën si mjet për të ruajtur autoritetin e tij. Katastrofa humanitare për Ukrainën, e privuar nga energjia në mesin e dimrit, mund të përkeqësohet edhe më tej.
Vladimir Putin e ka mbivlerësuar prej kohësh fuqinë e Rusisë. Që prej vitit 2014, kur pushtoi Krimenë dhe Donbasin, ai zhduku çdo lloj ndjenje pro-ruse në Ukrainë dhe e shtyu Kievin drejt Perëndimit. Pra, bëri pikërisht atë që donte të parandalonte.
Në vitin 2022, këto kufizime u bënë edhe më të dukshme. Forcat ruse dështuan të merrnin nën kontroll qytetet kryesore dhe u detyruan të tërhiqeshin, duke mbetur të bllokuara në një betejë rrënuese. Rezistenca ukrainase e detyroi Rusinë të përshtaste politikën e jashtme.
Për të anashkaluar sanksionet, Moska krijoi një “flotë në hije” për shitjen e naftës së saj, në një kohë që u mbështet te Kina për mallrat industriale. Strategjikisht, Kremlini shpresonte të udhëhiqte “Jugun Global” së bashku me Pekinin, duke shfrytëzuar ndjenjat post-koloniale.
Në Lindjen e Mesme, Rusia e braktisi neutralitetin, duke u afruar me Iranin dhe duke pritur në Moskë përfaqësues të Hamasit dhe rebelëve Huthi. Por këto lëvizje maskonin
një realitet të hidhur: Rusia e ka humbur aftësinë për të mbrojtur interesat e saj.
Në vitin 2023, ajo qëndroi pasive kur Azerbajxhani mori Nagorno-Karabakun nga Armenia, aleati i saj tradicional. Po ashtu, Moska mbeti thjesht spektatore teksa Izraeli dobësonte Hezbollahun dhe Iranin, apo kur rebelët rrëzuan dinastinë Asad në Siri.
Në vitin 2024, Kremlini festoi rizgjedhjen e Trumpit si president i SHBA-së, duke shpresuar se mospërfillja e tij për të drejtën ndërkombëtare do t’i sillte përfitime. Por ndodhi e kundërta.
Në verën e vitit të kaluar, SHBA-ja iu bashkua Izraelit në goditjen e infrastrukturës bërthamore të Iranit, ndërsa në janar të këtij viti Trump rrëzoi nga pushteti Maduron në Venezuelë, përmes një operacioni të shpejtë ushtarak, të cilin Putini mund ta kishte vetëm zili.
Pavarësisht retorikës, Trump nuk e ka braktisur plotësisht Kievin. Trump ka ndërhyrë edhe në “oborrin” e Rusisë, duke u bërë ndërmjetës në Kaukaz dhe duke joshur udhëheqësit e Azisë Qendrore.
Ai e ka ftuar Rusinë në “Bordin e Paqes”, por pa i dhënë status të veçantë, dhe duke pritur që Putini t’i nënshtrohet lidershipit të tij. Ndërkohë, Evropa e ka rritur mbështetjen për Ukrainën, ndërsa NATO mbetet funksionale. Ky vit mund të sjellë akoma më shumë sfida për Moskën.
Putini është bërë i fiksuar pas Ukrainës. Edhe pse ka bërë disa përparime territoriale, ai është larg fitores dhe bisedimet e paqes kanë dështuar. Ai e ka riorientuar të gjithë ekonominë për këtë luftë, duke e parë rezultatin si testin përfundimtar të presidencës së tij.
Muajin e kaluar, Rusia lëshoi një raketë balistike me rreze të mesme pranë kufirit polak, duke shkelur traktatet e vjetra dhe duke sinjalizuar përshkallëzimin e situatës. Lufta në Ukrainë po hyn në një fazë të rrezikshme.
Në shenjë kundërpërgjigjeje ndaj sekuestrimit të anijeve ruse nga Trump, Evropa po godet “flotën në hije”. Rusia mund të reagojë duke sulmuar rrugët e furnizimit në Evropën Lindore ose satelitët amerikanë.
Putini synon ta bëjë Ukrainën të pabanueshme, duke i rënduar financiarisht mbështetësit e saj. Gjithsesi, udhëheqësit perëndimorë nuk duhet të nxitojnë drejt një fundi të parakohshëm të konfliktit.
Ata duhet të kujtojnë fuqinë që zotërojnë: Rusia nuk është e pathyeshme. Ajo është thjesht një nga shumë vendet e disavantazhuara nga rendi botëror anarkik që ka krijuar Trump në mandatin e tij të dytë./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Foreign Affairs”
Shënim: Michael Kimmage, është drejtor i Institutit Kennan dhe autor i librit “Përplasjet: Origjina e Luftës në Ukrainë dhe paqëndrueshmëria e re globale”. Hanna Notte, drejtoreshë e Programit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore në Euroazi në Qendrën James Martin.
Lini një Përgjigje