TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Gusht 2025, 16:01

"Kushtetuta e ndalon, nuk japim territore", Zelensky i prerë: Armëpushimi, kushti i parë për paqe me Rusinë

Shkruar nga Pamfleti

"Kushtetuta e ndalon, nuk japim territore", Zelensky i prerë:

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaroi sot se një armëpushim i menjëhershëm është hapi i parë i domosdoshëm drejt një marrëveshjeje përfundimtare paqeje me Rusinë.

Ai foli në një konferencë për shtyp së bashku me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, një ditë përpara takimit të tij me presidentin amerikan Donald Trump në Uashington.

“Së pari duhet të ndalojmë vrasjet. Putini ka shumë kërkesa, por ne nuk i dimë të gjitha, dhe nëse janë aq të shumta sa kemi dëgjuar, atëherë do të duhet kohë për t’i shqyrtuar. Është e pamundur të bësh këtë nën presionin e armëve. Duhet armëpushim dhe më pas një marrëveshje finale”, tha Zelenskyy.

Duke iu përgjigjur sinjaleve të fundit nga Kremlini për “shkëmbim territoresh”, presidenti ukrainas u shpreh i prerë se kushtetuta e vendit e bën të pamundur dorëzimin apo tregtimin e tokës.

“Na duhen negociata të vërteta, që do të thotë të nisin aty ku është vija e frontit tani. Linja e kontaktit është baza më e mirë për bisedime. Rusia është ende e pasuksesshme në rajonin e Donetskut – Putini nuk ka mundur ta marrë atë për 12 vjet”, theksoi Zelenskyy.

Ai shtoi se çdo bisedim serioz për çështjet territoriale duhet të zhvillohet në nivel të lartë, mes Ukrainës dhe Rusisë, si dhe në një format trilateral Ukrainë-SHBA-Rusi. “Deri tani Rusia nuk ka dhënë asnjë shenjë për një trilateral të tillë. Dhe nëse refuzon, atëherë duhet të pasojnë sanksione të reja”, paralajmëroi presidenti ukrainas.

Nga ana e saj, Ursula von der Leyen përsëriti se Bashkimi Europian do të vazhdojë mbështetjen për Kievin dhe paralajmëroi për një paketë të re sanksionesh kundër Moskës, nëse nuk ka hapa të qartë drejt paqes.

Lini një Përgjigje