Komiteti Hetues i Rusisë është shprehur se së shpejti do të vendosë në listën e saj të të shumëkërkuarve, gjyqtarët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) të cilët lëshuan urdhër arrestin për presidentin rus Vladimir Putin dhe një zyrtar tjetër.
Lajmin e konfirmoi vetë kryetari i Komitetit Hetues, Alexander Bastrykin i cili u shpreh se anëtarët e GJNP-së ndikuan në marrjen e vendimit.
"Komiteti Hetimor më pas hapi shumë shpejt një çështje penale kundër kryetarit dhe tre gjyqtarëve, të cilët ndikuan aktivisht në miratimin e këtij vendimi. Ata së shpejti do të futen në listën e të kërkuarve," tha Bastrykin, duke folur në Forumin Ligjor Ndërkombëtar në Shën Petersburg, raportoi RIA Novosti.
Kujtojmë se Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi më 17 mars një urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin dhe komisioneren ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova me akuzën se kishin krijuar një skemë për dëbimin e fëmijëve ukrainas drejtë Rusisë.
Gjykata tha se ka baza të arsyeshme për të besuar se Putin mban përgjegjësi penale individuale për krimet e supozuara, së bashku me të tjerët. Akuzat e GJNP-së ishin të parat që u ngritën zyrtarisht kundër zyrtarëve në Moskë, që kur ajo filloi sulmin e saj të paprovokuar ndaj Ukrainës vitin e kaluar.
Rusia nuk është anëtare e GJNP-së dhe duke qenë se gjykata nuk kryen gjykime në mungesë, çdo zyrtar rus i akuzuar ose duhet të dorëzohet nga Moska ose të arrestohet jashtë Rusisë.
Lini një Përgjigje