TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Shkurt 2026, 17:00

Lindja e Mesme po rrëshqet drejt luftës, SHBA-të po shqyrtojnë vrasjen e Khameneit dhe djalit të tij

Shkruar nga Pamfleti
Lindja e Mesme po rrëshqet drejt luftës, SHBA-të po
Trump & Khamenei

Reuters, Axios dhe New York Times raportojnë për përgatitje ushtarake, opsione ekstreme ndaj udhëheqjes iraniane dhe përpjekje diplomatike në minutat e fundit

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm, ndërsa palët lëvizin paralelisht në dy drejtime: përgatitje ushtarake dhe përpjekje për një marrëveshje mbi programin bërthamor të Teheranit.

Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë Reuters, Axios dhe The New York Times, administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka shtuar praninë ushtarake në rajonin e Gjirit, ndërsa Irani ka testuar një variant të ri rakete detare dhe përballet me tensione të reja të brendshme.

Test raketor në Ngushticën e Hormuzit

Marina e Gardës Revolucionare Islamike njoftoi se ka “testuar me sukses” një variant detar të raketës së mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë Sayyad-3. Sipas njoftimit, testi u zhvillua gjatë një stërvitjeje në shkallë të gjerë në Ngushticën e Hormuzit, një zonë strategjike për trafikun global të naftës.

Njoftimi erdhi në një moment kur presidenti Trump deklaroi se SHBA ka grumbulluar rreth Iranit atë që ai e quajti “një armadë”, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni po përgatit opsione të ndryshme për të rritur presionin ndaj Teheranit.

Protesta studentore dhe përplasje në Teheran

Në planin e brendshëm, tensionet janë rikthyer edhe në universitete. Studentë në Teheran organizuan protesta në kujtim të viktimave të vrara gjatë shtypjes së demonstratave muajin e kaluar dhe në mbështetje të studentëve të arrestuar.

Sipas Iran International, një media e lidhur me opozitën iraniane, gjatë përplasjeve me milicinë Basij janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri ndaj turmës. Raportimet nuk janë konfirmuar nga autoritetet zyrtare iraniane.

Protesta u zhvilluan edhe në Universitetin e Shkencave Mjekësore në Mashhad dhe në Universitetin Teknologjik Amirkabir në Teheran, ku studentë brohoritën slogane kundër udhëheqjes, përfshirë thirrje kundër Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei.

Opsione ekstreme dhe negociata të hapura

Portali amerikan Axios, duke cituar burime anonime pranë administratës, raportoi se mes opsioneve të paraqitura presidentit Trump përfshihet edhe mundësia e eliminimit të Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei dhe djalit të tij Mojtaba, i konsideruar si pasardhës i mundshëm. Nuk ka konfirmim zyrtar për miratimin e ndonjë plani të tillë.

Sipas të njëjtit burim, administrata amerikane po shqyrton edhe një kompromis të mundshëm që do t’i lejonte Iranit një pasurim “simbolik” të uraniumit, me kusht që të mos hapë rrugë për zhvillimin e armës bërthamore. Një zyrtar i lartë amerikan i tha Axios se presidenti do të pranonte vetëm një marrëveshje “substanciale” që mund të mbështetet politikisht në SHBA.

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi njoftoi se Teherani do të paraqesë brenda dy ose tre ditësh një propozim të ri për palën amerikane. Ai mohoi se SHBA ka kërkuar ndalimin total të pasurimit të uraniumit dhe theksoi se qëllimi është garantimi i natyrës paqësore të programit bërthamor iranian.

Ultimatume dhe lëvizje ushtarake

Sipas The New York Times, SHBA ka evakuuar qindra ushtarë nga baza Al Udeid në Katar dhe ka kryer lëvizje edhe në bazat në Bahrein. E njëjta media raportoi se një aeroplanmbajtëse e dytë amerikane po lëviz drejt rajonit.

Presidenti Trump deklaroi se Irani ka 10 deri në 15 ditë për të pranuar kushtet negociuese, duke paralajmëruar se në të kundërtën “do të ndodhin gjëra të këqija”. Ai tha se po shqyrton mundësinë e një sulmi të kufizuar për të rritur presionin në tryezën e bisedimeve, por shtoi se nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar.

Paralajmërime për rrezik lufte

Reuters, duke cituar zyrtarë iranianë, amerikanë dhe diplomatë në Gjirin Persik dhe Evropë, raportoi se palët po afrohen me shpejtësi drejt një përplasjeje ushtarake, ndërsa shpresat për zgjidhje diplomatike po zbehen. Sipas këtyre burimeve, vendet e Gjirit dhe Izraeli e konsiderojnë tani konfliktin më të mundshëm se një marrëveshje.

Zyrtarë rajonalë shprehen se një përballje ushtarake mund të dalë jashtë kontrollit dhe të destabilizojë të gjithë Lindjen e Mesme. Megjithatë, sipas burimeve amerikane të cituara nga Reuters, presidenti Trump nuk ka vendosur ende nëse do të përdorë forcën ushtarake.

Situata mbetet e paqartë, me negociata të paralajmëruara për ditët në vijim dhe me prani të shtuar ushtarake në rajon. Zhvillimet e ardhshme do të varen nga përmbajtja e propozimit iranian dhe nga vendimet që do të marrë Uashingtoni në javën e ardhshme. /Pamfleti

 

khamenei shba trump

Lini një Përgjigje