TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Mars 2026, 11:20

Loja e madhe me “arin e zi”: Truket që përdorin anijet naftëmbajtëse për të shmangur bombardimet

Shkruar nga Elettra Bernacchini
Loja e madhe me “arin e zi”: Truket që përdorin anijet
Anije naftëmbajtëse

Mes sabotazheve elektronike dhe bllokadave ushtarake, Gjiri Persik është shndërruar në një fushëbetejë ku fitojnë vetëm ata që guxojnë të zhduken nga radarët. Ndërsa Kina dhe Arabia Saudite po rishkruajnë rregullat e tregut në mes të krizës, bota po ndjek me frymën pezull “Lojërat e Urisë” të anijeve naftëmbajtëse që po sfidojnë çdo rrezik për hir të “arit të zi”...

Kjo ka ndodhur vërtet. Dikush që po monitoronte sistemet e gjurmimit detar, pa papritmas në ekran një anije naftëmbajtëse që “fluturonte” me 180 kilometra në orë në mes të shkretëtirës së Emirateve Arabe.

Fjala ishte për anijen çisternë “Asprouda”, e cila transporton 50 mijë tonë nënprodukte nafte dhe që dukej sikur po lëvizte mbi rërë, shumë kilometra larg detit. Një çmenduri teknike. Por pas saj, u vunë re një grup prej 200 anijesh të rreshtuara në rreth, sërish në mes të shkretëtirës pranë Abu Dabit.

Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, në brigjet e Ruwais, një tjetër grupim mjetesh lundruese ishte pozicionuar në formën e një shkronje “Z” të përmbysur. Nëse bashkojmë pikat, kuptojmë se gjithçka është pasojë e jamming-it, një ndërhyrje elektronike që falsifikon sinjalet GPS të anijeve.

Kjo “magji teknike” po nxjerr jashtë loje mbi 1.100 mjete lundruese sipas agjencisë “Bloomberg”, të cilat orët e fundit janë gjendur fatkeqësisht në zonën e Ngushticës së Hormuzit, në Gjirin Persik.

Këtu, qëkur më 28 shkurt 2026 Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli hapën frontin e luftës kundër Iranit, ka nisur një lloj “Hunger Games” për anijet naftëmbajtëse. Është një garë mbijetese për të parë se kush dhe si do t’ia dalë të kalojë pa u ndëshkuar.

Nga njëra anë është fronti aziatik, ku beteja luhet me ndryshime të papritura të kursit. Të paktën 8 anije naftëmbajtëse të ngarkuara plot kanë devijuar rrugën brenda pak ditësh. Anija “Brest”, me 140 mijë tonë naftë indiane, po lundronte rreth Afrikës drejt veriut, kur befas u kthye drejt Singaporit.

Të njëjtën lëvizje bëri edhe “Aspen Express”, që doli nga Gjiri pak para mbylljes, por edhe “Navig8 Honor” me karburant avioni, që nga rruga drejt Gjirit u kthye drejt Lindjes. Arsyeja është e thjeshtë: në Orient çmimet e karburantit janë rritur shumë dhe rafineritë po punojnë me ritme minimale.

Kina ka kaluar në skenarin e mbijetesës. Ajo i ka urdhëruar prodhuesit të bllokojnë eksportet e naftës dhe benzinës, ndërsa në pikat e karburantit në vend radhët janë të pafundme. Në këtë kaos, fitimi është tepër i madh për të mos rrezikuar.

Nga ana tjetër kemi frontin saudit, ku problemi është krejtësisht i kundërt. Arabia Saudite u gjend papritur me depozitat plot, por me bllokimin e rrugës kryesore të transportit në Gji. Kompania shtetërore “Aramco” bëri diçka që nuk e kishte bërë prej vitesh: doli në treg për të shitur naftë bruto tek ofertuesi më i lartë përmes ankandeve të jashtëzakonshme, duke ofruar 4.6 milionë fuçi në pak ditë.

Çmimi? Edhe deri në 40 dollarë më shumë për fuçi sesa kuotat zyrtare. Kushti: merre ose lere. Për transportin po përdoren rrugë alternative si Yanbu në Detin e Kuq dhe Ain Sokhna në Egjipt, përmes një tubacioni që përshkon tejpërtej gadishullin arabik.

Ka edhe nga ata që e kanë planifikuar lëvizjen me një saktësi strategjike. Kështu, një anije shumë e madhe naftëmbajtëse, e ngarkuar me dy milionë fuçi naftë, ishte pozicionuar paraprakisht në brigjet e Tajvanit, duke pritur blerësin e duhur. Anija e fundit saudite që e kaloi Ngushticës e Hormuzit ishte “New Vision”, pak çaste para se Garda Revolucionare iraniane të deklaronte mbylljen e saj. Megjithatë, ka ende anije “guximtare” që përdorin teknikën e padukshmërisë.

Më 4 mars, anija greke “Shenlong”, e kompanisë “Dynacom”, fiku sistemin e identifikimit në mes të Gjirit Persik dhe u zhduk nga çdo hartë e radarëve. Për 5 ditë ajo ishte “e vdekur” për botën, derisa u rishfaq si për mrekulli më 9 mars pranë brigjeve të Indisë, me ngarkesën e paprekur, sikur të mos kishte kaluar përmes zonës më të vëzhguar të planetit.

Sipas kompanisë “Lloyd’s List”, të paktën 4 anije të tjera kanë ndjekur të njëjtën taktikë.

Së fundi, është edhe loja e “lejeve speciale”. Irani ka lejuar kalimin e 12 milionë fuçive të naftës së tij, pavarësisht bllokadës që ka vendosur vetë. Ndërsa për “miqtë” e Teheranit, trajtimi është i veçantë nëse ke kombësinë e duhur.

Anije si “Iron Maiden” apo “Sino Ocean” kaluan pa u shqetësuar, pasi deklaruan se ishin në pronësi kineze. Pra po zhvillohet një lojë e vërtetë flamujsh, aleancash dhe trukesh, një lloj turneu mesjetar, por që mbahet në kulmin e teknologjisë së shekullit XXI./Përshtati "Pamfleti", “Huffington Post Italia”

Lini një Përgjigje