Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme nuk duhet të krijojë avantazh strategjik për Rusinë, duke paralajmëruar se situata mund të shfrytëzohet nga presidenti rus Vladimir Putin.
Gjatë një konference për shtyp, Starmer theksoi se prioritet për Londrën mbetet siguria e shtetasve britanikë në rajon, ndërsa sqaroi se Mbretëria e Bashkuar nuk ka ndërmend të përfshihet drejtpërdrejt në luftë.
“Prioriteti ynë mbetet siguria e britanikëve në rajon", tha ai, duke shtuar se qeveria britanike do të vazhdojë përpjekjet diplomatike për të adresuar kërcënimin që vjen nga Irani.
Kryeministri britanik theksoi gjithashtu se konflikti aktual nuk duhet të devijojë vëmendjen nga lufta në Ukrainë.
“Është thelbësore që të vazhdojmë të përqendrohemi në mbështetjen e Ukrainës”, u shpreh Starmer, duke paralajmëruar se lufta në Lindjen e Mesme nuk duhet të kthehet në 'një përfitim të shpejtë për Putinin'.
Ai bëri të ditur se Britania po punon me aleatët për një plan që synon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe garantimin e sigurisë së trafikut detar, një korridor jetik për tregtinë globale të energjisë.
Starmer tha gjithashtu se operacioni amerikan ka “dobësuar ndjeshëm” kapacitetet ushtarake të Iranit, por paralajmëroi se në fazën pas konfliktit do të jetë e domosdoshme një marrëveshje diplomatike.
“Do të nevojitet një marrëveshje e negociuar për të kufizuar programin bërthamor të Iranit dhe për të garantuar lirinë e lundrimit”, theksoi ai.
Kryeministri britanik bëri me dije se mbi 92 mijë shtetas britanikë janë kthyer në vend që nga nisja e luftës, ndërsa Londra ka vendosur mijëra ushtarë në Qipro, tre skuadrone avionësh luftarakë dhe ekipe kundër dronëve për të përballuar çdo kërcënim të mundshëm nga Irani.
Lini një Përgjigje