Gjenerali i Gardës Revolucionare iraniane paralajmëron sulm me armë të sofistikuara ndaj Qipros...
Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka arritur pranë kufijve të Bashkimit Europian, pasi një bazë britanike në Qipro u vu në shënjestër të sulmeve me dronë dhe, sipas mediave pranë Gardës Revolucionare iraniane, edhe të raketave balistike. Zhvillimi shënon një zgjerim të rrezikshëm të krizës drejt Mesdheut lindor.
Sipas raportimeve, baza në Akrotiri u përball me kërcënim ajror, ndërsa autoritetet britanike ngritën në ajër 4-5 avionë luftarakë pas sinjalizimeve për një dron të dyshimtë. Mediat qipriote raportojnë se u evakuuan instalime ushtarake dhe aeroporti i Pafos, ndërsa forcat e sigurisë kaluan në gatishmëri të lartë. Deri tani nuk ka konfirmim zyrtar për dëme të shkaktuara nga raketa.
???????? Iranian general Jabbari: The Americans have relocated most of their fighter jets to Cyprus. We will launch attacks on Cyprus until the Americans are forced to leave it too. pic.twitter.com/1lJOmXzZ0y
— Sprinter Press (@SprinterPress) March 2, 2026
Në këtë klimë tensioni, gjenerali i Gardës Revolucionare iraniane, Ebrahim Jabbari, lëshoi kërcënime të drejtpërdrejta ndaj Qipros. Ai deklaroi se SHBA-ja ka zhvendosur një pjesë të konsiderueshme të avionëve të saj në ishull dhe paralajmëroi se Irani do të lëshojë “aq shumë raketa sa amerikanët do të detyrohen të largohen”. Sipas tij, deri tani janë përdorur rreth 3.000 raketa dhe rreth 10.000 dronë, ndërsa paralajmëroi përdorimin e sistemeve më të avancuara në ditët në vijim.
“Amerikanët kanë transferuar shumicën e avionëve të tyre në Qipro. Ne do të lëshojmë aq shumë raketa drejt Qipros saqë amerikanët do të detyrohen të largohen edhe atje. Deri më tani kemi lëshuar rreth 3,000 raketa të gjeneratës së parë dhe të dytë. Në ditët në vijim patjetër do të përdorim raketa të gjeneratës së tretë dhe të katërt. Rreth 10,000 dronë janë ngritur deri më tani”, tha ai.
Greqia reagoi duke dërguar fregatën “Kimon” drejt Qipros. Anija, e sapo futur në shërbim, merr për herë të parë mision operacional. Me kapacitete të avancuara kundërajrore, kundër-nëndetëse dhe sisteme moderne radarike e të luftës elektronike, “Kimon” synon të forcojë praninë detare greke në rajon dhe të kontribuojë në sigurinë e hapësirës detare në Mesdheun lindor.
Qipro, si shtet anëtar i BE-së dhe si vend pritës i bazave britanike, ndodhet tashmë në qendër të një krize që lidh drejtpërdrejt Lindjen e Mesme me hapësirën europiane. Zhvillimet e fundit tregojnë se konflikti mes Iranit, SHBA-së dhe aleatëve të tyre po zgjerohet gjeografikisht, duke rritur rrezikun e përfshirjes së drejtpërdrejtë të territorit europian në përballjen ushtarake. /Pamfleti
Lini një Përgjigje