
Donald Trump dhe Xi Jinping kanë zhvilluar një telefonatë mes përplasjes tregtare mes dy vendeve, gjatë së cilës ranë dakord për të vazhduar bisedimet mbi tarifat.
Bisedimet tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës kishin ngecur menjëherë pas një marrëveshjeje të 12 majit për të ulur përkohësisht normat tarifore gjatë kohës që zhvilloheshin negociatat.
Telefonata u raportua fillimisht nga mediat shtetërore kineze dhe më pas u konfirmua nga Ministria e Jashtme e Kinës. Sipas mediave kineze, ishte Trump që e nisi telefonatën.
Në një postim në rrjetin e tij “Truth Social”, Trump shkroi: “Sapo përfundova një telefonatë shumë të mirë me Presidentin Xi të Kinës, duke diskutuar disa nga detajet e marrëveshjes sonë të fundit tregtare, të cilën e kemi arritur dhe dakordësuar.”
Ai tha se telefonata zgjati rreth një orë e gjysmë dhe “rezultoi në një përfundim shumë pozitiv për të dy vendet”.
“Nuk duhet të ketë më asnjë pikëpyetje për produktet me elemente të rralla”, shtoi ai.
“Biseda u përqendrua pothuajse tërësisht në ÇËSHTJET TREGTARE. Nuk u diskutua asgjë për Rusinë/Ukrainën apo Iranin,” shtoi Trump.
Ai tha se të dyja vendet ranë dakord të vazhdojnë bisedimet për tarifat dhe se të dy liderët ftuam njëri-tjetrin për vizita në vendet përkatëse.
Kjo ndodhi vetëm një ditë pasi Trump deklaroi se ishte e vështirë të arrihej një marrëveshje me homologun e tij kinez.
“Më pëlqen Presidenti Xi i Kinës, gjithmonë më ka pëlqyer dhe gjithmonë do më pëlqejë, por ai është shumë i ashpër dhe jashtëzakonisht i vështirë për të arritur një marrëveshje!!!,” shkroi Trump në një postim në “Truth Social”.
Presidenti amerikan ka ulur tarifat e tij prej 145% për mallrat kineze në 30% për një periudhë 90-ditore për t’i dhënë hapësirë negociatave, ndërkohë që Kina i uli taksat për mallrat amerikane nga 125% në 10%.
Lufta tregtare ka shkaktuar luhatje të forta në tregjet globale dhe kërcënon të dëmtojë thellësisht shkëmbimet tregtare midis dy vendeve.
Sekretari i Thesarit i Trump, Scott Bessent, kishte sugjeruar më parë se vetëm një bisedë e drejtpërdrejtë mes dy liderëve mund të zgjidhte mosmarrëveshjet dhe të hapte rrugën për negociata serioze.
Trump dhe Xi kishin folur për herë të fundit në janar, tre ditë para inaugurimit të Trumpit, ku diskutuan mbi tregtinë dhe kërkesën e Trump për që Kina të bëjë më shumë për të ndaluar hyrjen e drogave si fentanili në SHBA.
Lini një Përgjigje