Bota20 Mars 2023, 11:53

Marrëdhënie që zgjat ndër vite, arsyet pse Xi Jinping është ende miku më i mirë i Vladimir Putinit

Shkruar nga Pamfleti
Marrëdhënie që zgjat ndër vite, arsyet pse Xi Jinping

Xi u qëndroi fjalëve, edhe kur Putin filloi pushtimin e tij në Ukrainë pak më shumë se një vit më parë. Më pak se tre javë më parë, Putin vizitoi Pekinin dhe nënshkroi atë që Kina dikur e quajti një partneritet "pa kufij".

Presidenti kinez Xi Jinping po niset për një vizitë shtetërore në Moskë këtë javë, duke sfiduar presionin masiv ndërkombëtar. Vladimir Putin, njeriun që Xi dikur e quajti "miku i tij më i mirë dhe më i ngushtë", sapo është bërë krimineli më i kërkuar i luftës, shkruan “Politico”.

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​një urdhër arresti për Putinin më 17 mars për rolin e tij në transferimin e paligjshëm të civilëve ukrainas në territorin rus. Por pse lideri i Kinës është kaq i vendosur të qëndrojë pranë Putinit, pavarësisht nga reagimet e pashmangshme, në një kohë kur Perëndimi po dyshon gjithnjë e më shumë qasjen ndaj presidentit rus.

“Populli kinez nuk është i ndjeshëm ndaj kërcënimeve. Tigrat prej letre si SHBA sigurisht që nuk mund të kërcënojnë Kinën,"- komentoi agjencia shtetërore e lajmeve kineze Xinhua përpara udhëtimit të Xi në Rusi. I njëjti artikull kritikoi Uashingtonin për kërcënimin e vendosjes së sanksioneve ndaj Kinës nëse i siguron Rusisë armë për pushtimin e saj në Ukrainë.

"Sa më shumë që SHBA dëshiron të shtypë dy superfuqitë, Kinën dhe Rusinë, aq më shumë Kina dhe Rusia po anojnë drejt njëra-tjetrës."

Është një pikëpamje që bie në përputhje me retorikën e Kremlinit.

“Uashingtoni nuk dëshiron që kjo luftë të përfundojë. SHBA dëshiron dhe po bën gjithçka për të vazhduar këtë luftë. Kjo është e dukshme,”- tha zëdhënësi i Putinit Dmitry Peskov në fillim të këtij muaji.

Një marrëdhënie që zgjat ndër vite

Për të kuptuar preferencën e Xi për Putinin, edhe pse ekonomia e Kinës është kaq e ndërthurur me Perëndimin, analistët thonë se nuk është e rëndësishme vetëm të merret parasysh vizioni i Pekinit për të ardhmen, por edhe të kuptohet historia e tyre e përbashkët.

“Ata kanë vetëm gjashtë muaj diferencë në moshë. Të dy baballarët e tyre luftuan në Luftën e Dytë Botërore ... Të dy burrat patën vështirësi në rininë e tyre. Ata të dy kanë vajza,”- tha Alexander Gabuev, një bashkëpunëtor në institutin Carnegie Endoëment for International Peace dhe një ekspert për marrëdhëniet ruso-kineze.

"Bromanca" e tyre, siç e tha Gabuev, filloi në vitin 2013 kur Xi u takua me Putinin në fund të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Bali në ditëlindjen e Putinit. Sipas vetë Putinit, Xi i dhuroi atij një tortë, ndërsa udhëheqësi rus një shishe vodka për dolli. Më pas, drejtuesit shijuan gotat me alkool dhe disa sanduiçe.

"Unë kurrë nuk kam krijuar marrëdhënie të tilla me ndonjë homolog tjetër të huaj, por kam bërë me Presidentin Xi",- i tha Putin transmetuesit kinez CCTV në 2018. Këto komente u pasuan nga një udhëtim në Pekin, ku Xi i dorëzoi Putinit medaljen e parë të miqësisë me Kinën.

“Ai është shoku im më i mirë, më i ngushtë. Pavarësisht nga luhatjet që ekzistojnë në situatën ndërkombëtare, Kina dhe Rusia e kanë konsideruar vazhdimisht zhvillimin e marrëdhënieve me njëra-tjetrën,”- tha Xi.

Xi u qëndroi fjalëve, edhe kur Putin filloi pushtimin e tij në Ukrainë pak më shumë se një vit më parë. Më pak se tre javë më parë, Putin vizitoi Pekinin dhe nënshkroi atë që Kina dikur e quajti një partneritet "pa kufij". Zyrtarët kinezë kanë shmangur kritikat ndaj Rusisë.

Aleatë, por jo të barabartë

Në të njëjtën kohë, shqetësimet po intensifikohen për aftësinë e Pekinit për të furnizuar Rusinë me armë. Javën e kaluar, ‘Politico’ raportoi se kompanitë kineze, duke përfshirë një të lidhur me qeverinë në Pekin, u dërguan subjekteve ruse 1000 armë dhe pajisje të tjera që mund të përdoren për qëllime ushtarake, duke përfshirë pjesë dronash. Forcat e armatosura të Kinës dhe Rusisë kanë bashkëpunuar gjithashtu në stërvitje të përbashkëta jashtë Evropës. Kohët e fundit, ata kryen stërvitje detare së bashku me Iranin në Gjirin e Omanit.

Gjatë vizitës së Xi këtë javë, të dy udhëheqësit pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje. Ka gjithashtu aludime se Xi mund të bisedojë me telefon me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy pas vizitës në Moskë.

"Për Xi, forcimi i Rusisë si partneri i vogël i Kinës është thelbësor për vizionin e tij për përtëritje kombëtare."

Për ta arritur këtë, qëndrimi i Putinit në pushtet është i panegociueshëm për Pekinin./ Marrë nga 'Politico', përshtati 'Pamfleti'

xi jinping vladimir putin