
Bilanci i tërmeteve shkatërruese në Venezuelë vijon të rëndohet, ndërsa mbi 25 mijë persona rezultojnë të raportuar të zhdukur nga familjarët e tyre. Sipas të dhënave të publikuara në një platformë të posaçme për kërkimin e personave, deri tani janë regjistruar 26,086 raportime, ndërsa më shumë se 1,200 persona janë lokalizuar të gjallë pasi fillimisht ishin shpallur të zhdukur.
Autoritetet sqarojnë se kjo nuk përbën një bilanc zyrtar të personave të zhdukur, por pasqyron situatën kaotike në terren, ku mijëra familje nuk kanë ende asnjë kontakt me të afërmit e tyre për shkak të dëmeve të mëdha në infrastrukturë dhe ndërprerjeve të komunikimit.
Ndërkohë, numri i viktimave të konfirmuara ka arritur në 164, ndërsa 971 persona kanë mbetur të plagosur, teksa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet në dhjetëra ndërtesa të shembura.
Pse tërmeti ishte kaq shkatërrues?
Sipas ekspertëve, edhe pse tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 nuk janë të pazakontë në nivel global, kombinimi i disa faktorëve e bëri katastrofën në Venezuelë veçanërisht të rëndë.
Goditja ndodhi në veri të vendit, ku ndodhen zonat më të populluara, përfshirë kryeqytetin Karakas, me mbi dy milionë banorë, dhe shtetin La Guaira, një nga rajonet më të prekura.
Një tjetër faktor vendimtar ishte thellësia shumë e vogël e tërmeteve. Lëkundja më e fuqishme ndodhi vetëm rreth 10 kilometra nën sipërfaqen e Tokës, duke bërë që energjia sizmike të transmetohej pothuajse e plotë në sipërfaqe dhe të shkaktonte shembje masive ndërtesash.
Ekspertët sjellin në vëmendje edhe raste të tjera të fundit, si tërmeti me magnitudë 7.8 në Filipine apo ai me magnitudë 8.8 në Gadishullin Kamçatka të Rusisë, të cilët shkaktuan shumë më pak viktima, kryesisht për shkak se goditën zona më pak të populluara ose ndodhën në thellësi më të mëdha.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë pa ndërprerje, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave dhe i personave të zhdukur mund të ndryshojë në orët dhe ditët në vijim, pasi shumë zona mbeten ende të paarritshme.
Lini një Përgjigje