Autoritetet franceze kanë hapur një hetim paraprak ndaj ish-ministrit të Kulturës, Jack Lang, lidhur me marrëdhëniet e tij me financierin amerikan Jeffrey Epstein, i përfshirë në një nga skandalet më të mëdha ndërkombëtare të viteve të fundit.
Hetimi lidhet me dyshime për “pastrim të të ardhurave nga mashtrimi tatimor” dhe vjen pas publikimit të dosjeve të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara, në të cilat emri i Lang përmendet rreth 700 herë.
Sipas autoriteteve franceze, hetimi synon të sqarojë lidhjet financiare dhe administrative të mundshme mes Jack Lang, familjarëve të tij dhe Jeffrey Epstein. Dosjet amerikane sugjerojnë marrëdhënie që përfshijnë shërbime të favorshme, si përdorimi i makinës dhe avionit privat të Epstein, si dhe kontakte të shpeshta.
Megjithatë, autoritetet kanë theksuar se as Jack Lang dhe as vajza e tij, Caroline Lang, nuk dyshohen për përfshirje në krime seksuale.
Jack Lang, 86 vjeç, aktualisht president i Institutit të Botës Arabe në Paris, i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si “të pabaza”. Në një deklaratë për AFP-në, ai u shpreh se hetimi do të ndihmojë në sqarimin e çështjeve që, sipas tij, po vënë padrejtësisht në dyshim nderin dhe integritetin e tij.
Lang ka deklaruar se është takuar me Epstein rreth 15 vjet më parë, përmes aktorit Woody Allen, duke e përshkruar Epstein si një person “të apasionuar pas artit dhe kulturës”.
Në hetim është përfshirë edhe vajza e tij, Caroline Lang, 64 vjeç, e cila javën e kaluar dha dorëheqjen nga posti i kryetares së Sindikatës Franceze të Prodhuesve të Filmit.
Ajo ka deklaruar se ka qenë “jashtëzakonisht naive” në marrëdhëniet e saj me Epstein dhe ka mohuar çdo përfitim financiar personal.
Hetimi paraprak është në vijim dhe autoritetet franceze pritet të analizojnë dokumentacionin financiar dhe kontaktet e dyshuara, për të përcaktuar nëse ka elementë të shkeljes penale. Deri në këtë fazë, bëhet fjalë për verifikim faktesh dhe jo për ngritje zyrtare akuzash.
Lini një Përgjigje