Sondazhet tregojnë pakënaqësi të konsiderueshme publike dhe rënie të miratimit për Trumpin në çështje kyçe si emigracioni, ekonomia dhe inflacioni, edhe pse treguesit makroekonomikë mbeten relativisht të fortë...
Historiani skocez Niall Ferguson, profesor në Universitetin Stanford, analizon në "The Free Press" një model të përsëritur të politikës amerikane, të njohur si “sindroma e vitit të gjashtë”: viti i dytë i mandatit të dytë presidencial, kur pushteti i presidentit zakonisht dobësohet, popullariteti bie dhe partia në pushtet humb terren në zgjedhjet e mesmandatit.
Sipas Ferguson, ky model shfaqet pothuajse pa përjashtim. Presidentët, në këtë fazë, përballen me bllokim të agjendës së brendshme, lodhje të opinionit publik, skandale, kriza të politikës së jashtme ose ngjarje të paparashikuara. Si rregull, partia e presidentit humb zgjedhjet e mesmandatit dhe vetë presidenti shihet si politikisht i dobësuar për pjesën e mbetur të mandatit.
Ferguson argumenton se edhe Donald Trump, pavarësisht aftësisë së tij për të dominuar skenën ndërkombëtare dhe për të imponuar stilin e vet negociues, rrezikon të bëhet viktima e radhës e këtij cikli. Një mandat i dytë, thekson ai, është gjithmonë një mandat i dytë, pavarësisht nëse është i njëpasnjëshëm apo jo.
Historiani ndalet fillimisht te tensionet e brendshme, duke përmendur reagimet ndaj politikës së deportimeve. Sipas tij, emigracioni ka qenë prej kohësh një nga pikat më të forta politike të Trumpit dhe ka luajtur rol kyç në rizgjedhjen e tij. Mbyllja e shpejtë e kufirit jugor i dha peshë sloganit “premtime të mbajtura”. Megjithatë, deportimet masive dhe përdorimi i metodave të ashpra kanë rezultuar më pak popullore, veçanërisht kur shoqërohen me mbulim negativ mediatik.
Ferguson thekson se sondazhet tregojnë pakënaqësi të konsiderueshme publike dhe rënie të miratimit për Trumpin në çështje kyçe si emigracioni, ekonomia dhe inflacioni, edhe pse treguesit makroekonomikë mbeten relativisht të fortë. Për historianin, kjo tregon se ekonomia, ndonëse e rëndësishme, nuk garanton mbrojtje politike.
Në analizën e tij, Ferguson vendos Trumpin në një vijë krahasuese historike me Richard Nixonin. Të dy, sipas tij, ndajnë një stil realist dhe konfrontues, mosbesim ndaj mediave kryesore dhe prirje për të sfiduar aleatët. Mandati i dytë i Nixonit, kujton Ferguson, përfundoi në mënyrë katastrofike me skandalin Watergate, pavarësisht fitores dërrmuese në zgjedhjet e vitit 1972. Faktorët ekonomikë, rritja e inflacionit dhe krizat e tregjeve financiare përkeqësuan më tej situatën, duke çuar në kolapsin e presidencës së tij.
Megjithatë, Ferguson thekson se historia amerikane njeh edhe një përjashtim të rëndësishëm nga “sindroma e vitit të gjashtë”: Bill Clintonin. Në vitin 1998, Clinton u përball me skandale të rënda personale dhe me procedurë shkarkimi, që në pamje të parë dukej se do ta shkatërronin politikisht. Por ndodhi e kundërta. Ekonomia amerikane ishte shumë e fortë, tregjet financiare në rritje dhe papunësia në rënie. Po aq e rëndësishme, sipas Ferguson, ishte edhe fakti se republikanët shkuan shumë larg me përpjekjen për ta rrëzuar Clintonin, duke krijuar lodhje dhe reagim negativ te publiku.
Si rezultat, Clinton jo vetëm që mbijetoi politikisht, por e përfundoi vitin me nivel miratimi më të lartë se në fillim të mandatit të dytë, ndërsa republikanët humbën vende në Kongres.
Pyetja qendrore që shtron Ferguson është nëse Donald Trump mund të ndjekë shembullin e Clintonit dhe jo atë të Nixonit. Ai vëren se Trump, ashtu si Clinton, nuk përfiton nga iluzione morale të publikut, por nga perceptimi i efektivitetit dhe ekonomisë. Një ofensivë e tepruar nga kundërshtarët, argumenton ai, mund të prodhojë efekt të kundërt.
Përfundimi i analizës është i kujdesshëm dhe pa spekulime: “sindroma e vitit të gjashtë” ka goditur shumicën e presidentëve amerikanë me dy mandate. Një ekonomi e fortë është kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm për të shmangur humbjet politike. Nëse Trump do të arrijë të jetë përjashtim, kjo do të varet jo vetëm nga treguesit ekonomikë, por edhe nga gabimet ose përmbajtja e kundërshtarëve të tij politikë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje