TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Shkurt 2023, 17:19

Mbledhja e OSBE-së në Vjenë nis me protesta dhe bojkot, shkak pjesëmarrja e delegacionit rus

Shkruar nga Pamfleti

Mbledhja e OSBE-së në Vjenë nis me protesta dhe bojkot, shkak

Takimi dyditor i Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i cili po mbahet në Vjenë, ka nisur me protesta për shkak të pjesëmarrjes së Rusisë.

Ky takimi në prag të përvjetorit të parë të pushtimit të nisur nga Moska është përcjellë me kritika të mëdha dhe me bojkot të delegacionit të Ukrainës.

Austria u ka dhënë viza disa delegatëve rusë për të marrë pjesë në takimin që nisi më 23 shkurt, pavarësisht thirrjeve të disa shteteve që të dërguarve të Moskës t’iu ndalohet pjesëmarrja. Ky vendim i Vjenës është përballur me kritika, përfshirë edhe nga ligjvënësit amerikanë.

Ndërkohë që Ukraina dhe Lituania po bojkotojnë takimet e OSBE-së, ku marrin pjesë përfaqësuesit e 52 shteteve pan-evropiane. Takimi në Vjenë nisi një ditë para përvjetorit të parë të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës, që është shndërruar në konfliktin më vdekjeprurës dhe shkatërrues në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Kjo është hera e parë që anëtarët e Dumës shtetërore ruse po marrin pjesë në një ngjarje në Bashkimin Evropian në kapacitet zyrtar, pasi ata ishin sanksionuar për shkak të mbështetjes së luftës, por edhe përkrahjes së aneksimit të katër rajoneve ukrainase: Donjesk, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhzhia.

Delegatët rusë janë përballur me kritika të ashpra, teksa anëtari sllovak në OSBE publikoi një deklaratë në emër të delegacionit ukrainas, që ka bojkotuar mbledhjen në Vjenë.

Ata [delegatët rusë] nuk janë këtu për një dialog të vërtetë e as për bashkëpunim. Ata janë këtu për të përhapur propagandë. Ata janë këtu për të justifikuar krimet e luftës që kanë kryer dhe shkeljen e parimeve dhe ligjeve ndërkombëtare”, thuhej në deklaratë.

Presidentja e Asamblesë së OSBE-së, ligjvënësja suedeze Margareta Cederfelt, po ashtu ishte kritike, duke thënë se disa prej parlamentarëve sot po ndihmojnë dhe nxisin krimin e agresionit. Ndërkohë që ju bëri thirrje pjesëmarrësve që ta shfrytëzojnë këtë takim dyditor, si mundësi për të qëndruar për Ukrainën dhe për të kundërshtuar gënjeshtrat e agresorëve.

Vendimi i Austrisë për të lejuar delegacionin rus që të marrë pjesë në këtë mbledhje nxiti protesta, pavarësisht se ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, tha se është obligim diplomatik i shtetit të tij që të lejojë anëtarët e shteteve pjesëmarrëse që të marrin pjesë në mbledhje.

Dy takimet paraprake të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të mbajtura në korrik në Angli dhe në nëntorin e kaluar në Poloni, u mbajtën pa pjesëmarrjen e Moskës, pasi delegacioni rus nuk u pajis me vizë.

 

osbe protesta bojkot

Lini një Përgjigje