Bota23 Shkurt 2023, 14:31

Tryeza Vuçiç-Kurti më 27 shkurt, Serbia vendos kushte për takimin në Bruksel

Shkruar nga Pamfleti

Tryeza Vuçiç-Kurti më 27 shkurt, Serbia vendos kushte

Pas konfirmimit zyrtar të takimit të së hënës në Bruksel me Albin Kurtin, Presidenti Aleksandër Vuçiç  ka deklaruar se do t’i përmbahet vijave të kuqe për çështjen e Kosovës.

Vuçiç përmendi si fakt vendosjen e bazave të reja të policisë kosovare në veri.


“Na presin shumë netë të vështira. Ata duhet që të pranojnë themelimin e bashkësisë së komunave serbe nuk ka filozofi të madhe. Vendi ynë u është drejtuar gojarisht dhe me shkrim të gjithë zyrtarëve ndërkombëtarë për ndërtimin të bazave të paligjshme të policisë së Kosovës në veri. Unë personalisht e kam bërë këtë në një bisedë me njerëzit e KFOR-it dhe me Miroslav Lajçakun, Borellin dhe të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë”.

Vuçiç tha se situata për Serbinë nuk është e thjeshtë, por duhet të ruhet paqja dhe vendi duhet qe të jetë gati për kompromise.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në njoftim thuhet se takimi do të përqendrohet në propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Propozimi i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara nuk parasheh njohjen e ndërsjellë ndërmjet të dyja vendeve por zotimin e tyre se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Në janar të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë u takuan me udhëheqësit e të dyja vendeve për t'i bindur ata që të nënshkruajnë një marrëveshje në bazë të propozimit ndërsa u thanë se duhet të deklarojnë deri në mars nëse e pranojnë planin ose do të përballen me pasoja.

Udhëheqësit e të dyja vendeve thanë se e pranojë në parim propozimin.

vuçiç asocacioni kurti