Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi të premten se Berlini ka nisur bisedime konfidenciale me Francën për një parandalim bërthamor evropian, duke theksuar se rajoni duhet të forcohet për të rivendosur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
Në fjalimin në hapjen e Konferencës së Sigurisë në Mynih, Merz i bëri gjithashtu thirrje Uashingtonit të “riparojë dhe ringjallë besimin” në një epokë të re të rrezikshme të politikës së fuqive të mëdha, duke paralajmëruar se SHBA-ja nuk mund të veprojë e vetme ndërsa rendi i vjetër global po shpërbëhet.
Fjalimi nënvizoi se liderët evropianë po kërkojnë gjithnjë e më shumë të ndjekin një rrugë të pavarur, pas një viti trazirash të paprecedenta në marrëdhëniet transatlantike, ndërsa përpiqen njëkohësisht të ruajnë aleancën me Uashingtonin.
Evropa përballet me një sërë kërcënimesh, nga lufta e Rusisë në Ukrainë deri te tronditjet e mëdha në tregtinë globale.
“Kam nisur bisedime konfidenciale me Presidentin francez për parandalimin bërthamor evropian”, tha Merz, duke shtuar “ne gjermanët po respektojmë detyrimet tona ligjore. E shohim këtë çështje si të integruar rreptësisht në kuadër të ndarjes bërthamore në NATO. Nuk do të lejojmë krijimin e zonave me nivele të ndryshme sigurie në Evropë.”
Presidenti francez Emmanuel Macron pritet të mbajë një fjalim mbi parandalimin bërthamor më vonë këtë muaj.
Zyrtarët kanë treguar kujdes në deklarimet për këtë çështje, pasi ajo përbën kompetencë të drejtpërdrejtë të presidentit.
Vendet evropiane janë mbështetur prej kohësh te Shtetet e Bashkuara, përfshirë arsenalin e tyre të madh bërthamor, për mbrojtjen e tyre, por kanë rritur shpenzimet ushtarake, pjesërisht në përgjigje të kritikave të forta nga administrata Trump.
Ndërsa Gjermania aktualisht nuk lejohet të zhvillojë armë bërthamore sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, Franca është e vetmja fuqi bërthamore e Bashkimit Evropian pas daljes së Britanisë nga blloku dhe zotëron arsenalin e katërt më të madh në botë.
Duke iu referuar paralajmërimeve se rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla është në prag të shkatërrimit, Merz tha se “kam frikë se duhet ta themi edhe më drejtpërdrejt: ky rend, sado i papërsosur të ketë qenë edhe në momentet e tij më të mira, nuk ekziston më në atë formë”.
Lini një Përgjigje