
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi në Mynih se Bashkimi Evropian do të shtojë investimet në mbrojtje dhe do të konsolidojë rolin e tij brenda NATO-s.
Ajo theksoi se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj dhe se një kapacitet më i madh evropian e bën aleancën më të qëndrueshme. Sipas saj, shtetet anëtare kanë rritur ndjeshëm financimin për mbrojtjen gjatë vitit të fundit.
Von der Leyen bëri të ditur se në buxhetin e fundit shtatëvjeçar janë parashikuar 8 miliardë euro për mbrojtjen. Ajo shtoi se gjatë vitit të kaluar u mobilizuan 800 miliardë euro për të adresuar mangësitë ekzistuese në kapacitetet mbrojtëse të Evropës.
Deklaratat erdhën në një konferencë të përbashkët për media me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Johann Wadephul. Ajo iu përgjigj edhe kritikave të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me ndarjen e barrës financiare në NATO, duke theksuar se vendet e BE-së kanë ndërmarrë hapa konkretë për të rritur kontributin e tyre.
Presidentja e Komisionit Evropian nënvizoi se programi SAFE do të mbështesë projektet e përbashkëta të industrisë së mbrojtjes mes vendeve anëtare dhe partnerëve.
Pas konferencës, von der Leyen, Rutte dhe Wadephul morën pjesë në Forumin Transatlantik të organizuar nga kryeministri i Bavarisë, Markus Soeder. Takimet u zhvilluan në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku liderë politikë, ministra dhe ekspertë të sigurisë diskutuan çështjet kryesore të mbrojtjes.
Ja dhe kjo Mrika! Specie pa lidhje ne kete realitet!