Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka deklaruar se njohja e shtetit të Palestinës në këtë moment mund të jetë kundërproduktive për vetë objektivin e krijimit të tij, një reagim ky ndryshe nga lideri i Francës, Emmanuel Macron.
Në një intervistë për La Repubblica, ajo u shpreh se në këto momente krijimi i shtetit të Palestinës është një rrezik, duke dalë krah presidentit Trump që sulmoi veprimet e Macron.
“Besoj se njohja e shtetit të Palestinës, pa pasur realisht një shtet të tillë, mund të jetë madje edhe e dëmshme për qëllimin përfundimtar”.
Meloni shtoi se këtë qëndrim e ka shprehur disa herë, përfshirë edhe në Parlamentin italian, si dhe gjatë bisedimeve me autoritetet palestineze dhe Presidentin francez Emmanuel Macron. Kujtojmë se pak ditë më parë, Presidenti Macron deklaroi se Franca do ta njohë Palestinën si shtet në muajin shtator.
Sipas Kryeministres Meloni, “nëse diçka që në fakt nuk ekziston njihet vetëm në letër, ekziston rreziku që problemi të perceptohet si i zgjidhur, ndërkohë që realisht nuk është”.
Ajo theksoi se është mbështetëse e vendosur e krijimit të një shteti palestinez, por jo e njohjes së tij përpara se të përfundojë procesi real për themelimin e tij.
Vetë Donald Trum ka deklaruar se veprimet dhe fjalët e Macron nuk kanë peshë për gjendjen e Palestinës.
"Ajo që thotë Macron nuk ka rëndësi, nuk ka peshë".
Kështu u shpreh presidenti amerikan Donald Trump, duke komentuar vendimin e presidentit francez për të njohur shtetin e Palestinës. Por "ai është një djalë i mirë", shtoi më tej kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Edhe Sekretari i Shtetit Rubio e kishte refuzuar më parë propozimin, duke sqaruar se "Shtetet e Bashkuara e hedhin poshtë me vendosmëri planin e Macron".
Ky propozim nuk gjeti as mbështetje nga Ministri i Jashtëm Italian Antonio Tajani: "Italia mbështet zgjidhjen me dy popuj, dy shtete, por njohja e shtetit të ri palestinez duhet të ndodhë njëkohësisht me njohjen e Shtetit të Izraelit", shpjegoi ai.
Gjermania gjithashtu e frenoi propozimin: "Qeveria federale gjermane nuk ka ndërmend të njohë një shtet palestinez në një afat të shkurtër", deklaroi zëdhënësi i qeverisë Stefan Kornelius.
“Rusia gjithmonë ka mbështetur” zgjidhjen me dy shtete, midis Izraelit dhe Palestinës, për t'i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme, komentoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Një "katastrofë humanitare" po zhvillohet në Rripin e Gazës që "duhet të marrë fund menjëherë". Kjo u deklarua nga Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania në përfundim të një telefonate midis udhëheqësve Keir Starmer, Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz. Apeli duket të jetë një përgjigje indirekte ndaj pretendimeve të qeverisë izraelite se nuk ka zi buke në Gaza, pavarësisht paralajmërimeve nga OKB-ja dhe shumë organizata ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje