Përplasja mes Melonit dhe Trumpit është kthyer në një debat të hapur publik, pasi presidenti amerikan e akuzoi kryeministren italiane se po kërkon ta përdorë për të rritur popullaritetin e saj. Meloni iu kundërpërgjigj duke e ftuar Trumpin të merret me popullaritetin e vet dhe duke theksuar se Italia nuk sakrifikon sovranitetin e saj për askënd.
Vijon përplasja tashmë mes dy ish-miqve. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i është përgjigjur me tone të ashpra presidentit amerikan Donald Trump, pas sulmeve të tij të fundit në rrjetin social Truth Social, duke i cilësuar deklaratat e tij si të pajustifikuara dhe të padenja për marrëdhëniet mes aleatëve perëndimorë.
Në një reagim të publikuar në anglisht, Meloni tha se akuzat e vazhdueshme të Trumpit nuk kanë asnjë bazë dhe nuk i shërbejnë unitetit të Perëndimit.
Kryeministrja theksoi se mbështetja që gëzon në Itali buron nga aftësia për të mbrojtur interesat kombëtare dhe jo nga raportet personale me liderë të huaj.
“President Trump, këto sulme të vazhdueshme dhe të paprovokuara nuk kanë kuptim. Sa i përket popullaritetit tim, të qenit mike me ty sigurisht që nuk më ka ndihmuar dhe nuk varet aspak nga marrëdhënia ime me ty. Popullariteti im varet nga aftësia ime për të mbrojtur interesin kombëtar të Italisë dhe këtë kam bërë gjithmonë, përfshirë edhe në çështjen e përdorimit të bazave ushtarake amerikane në Itali. Këto baza rregullohen nga marrëveshje që janë respektuar gjithmonë dhe nuk mund të shkelen sa kohë që unë jam kryeministre. Italia mbetet një vend sovran”, deklaroi Meloni.
Ajo e mbylli reagimin me një mesazh të drejtpërdrejtë për presidentin amerikan: “Popullariteti im nuk të përket ty. Të sugjeroj të përqendrohesh te i yti”.

Meloni shtoi se nuk do të rikthehet më mbi këtë polemikë, sepse vazhdon të besojë te uniteti i Perëndimit dhe nuk e konsideron këtë përplasje publike në nivelin që kërkon përgjegjësia e liderëve politikë.
Përplasja u ndez pasi Trump publikoi një mesazh në Truth Social, ku pretendoi se Meloni i kishte kërkuar vazhdimisht të fotografoheshin së bashku gjatë samitit të G7 në Francë. Sipas tij, kryeministrja italiane po përpiqej të rikthente marrëdhëniet me të për të rritur popullaritetin e saj në Itali.
Trump kritikoi gjithashtu vendimin e qeverisë italiane për të mos lejuar përdorimin e pistave dhe infrastrukturës ushtarake italiane gjatë operacioneve amerikane të lidhura me konfliktin me Iranin. Ai argumentoi se kjo kishte krijuar vështirësi logjistike për Shtetet e Bashkuara, pavarësisht rolit amerikan në mbrojtjen e aleatëve të NATO-s.
Debati lidhet me një episod të ndodhur në fund të marsit, kur dy avionë luftarakë amerikanë që fluturonin nga Skocia kërkuan të përdornin bazën ajrore të Sigonellës në Sicili. Sipas mediave italiane, kërkesa nuk u miratua pasi marrëveshjet që rregullojnë përdorimin e bazave amerikane në territorin italian nuk e parashikonin një mundësi të tillë. Meloni e ka mbrojtur publikisht këtë vendim, duke argumentuar se ai ishte në përputhje me ligjin dhe me sovranitetin e Italisë.
Polemika mes dy liderëve kishte nisur që të premten, kur Trump deklaroi në një intervistë se Meloni e kishte “imploruar” për një fotografi gjatë samitit të G7 në Evian të Francës. Kryeministrja italiane reagoi menjëherë me një video, duke i cilësuar pretendimet si tërësisht të pavërteta.
“Jam e habitur. Nuk e kuptoj pse sillet kështu me aleatët. Më vjen keq që Trump nuk tregon të njëjtën vendosmëri ndaj kundërshtarëve të Perëndimit. Por një gjë duhet ta mbajë mend: unë dhe Italia nuk lutemi kurrë”, deklaroi ajo.
Sipas mediave italiane, presidenti Sergio Mattarella telefonoi Melonin për t’i shprehur solidaritetin e tij pas sulmeve publike të Trumpit. Ndërkohë, në Romë po shtohen shqetësimet se përplasja mes dy liderëve mund të ndikojë në marrëdhëniet mes Italisë dhe Shteteve të Bashkuara, dy vende aleate historike brenda NATO-s.
VIVA ITALIA!!! Fuck you Trump!!