Mijëra fletëpalosje kundër Hezbollahut u hodhën nga ajri mbi kryeqytetin libanez, Bejrut, duke mbushur për disa minuta qiellin dhe më pas duke rënë në rrugët e qytetit. Lajmi u raportua nga CNN, duke cituar burime ushtarake libaneze.
Sipas Komandës së Ushtrisë së Libanit, fletëpalosjet u hodhën nga një avion izraelit dhe përmbanin një mesazh nga Njësia 504, një njësi e inteligjencës njerëzore e ushtrisë izraelite që merret me rekrutimin e informatorëve.
Autoritetet ushtarake libaneze njoftuan se në fletëpalosje përfshiheshin edhe kode QR që lidhen me faqe në WhatsApp dhe Facebook. Ushtria paralajmëroi qytetarët të mos i skanojnë këto kode dhe të mos klikojnë në lidhjet përkatëse, duke theksuar se kjo mund të sjellë rreziqe ligjore dhe sigurie, si dhe mundësinë e hakerimit të telefonave dhe aksesit në të dhënat personale.
Fotografitë e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë se mesazhi në fletëpalosje thotë:
“Toka juaj është e juaja, mos lejoni që të bëhet pre e lehtë për armët e Hezbollahut të mbështetur nga Irani. Njësia 504 po punon për të siguruar të ardhmen e Libanit dhe të popullit të tij, duke besuar në parimin: ‘Nëse fqinji yt është mirë, edhe ti je mirë.’”
I pyetur nga CNN nëse Izraeli qëndron pas shpërndarjes së fletëpalosjeve mbi Bejrut, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) refuzuan të komentojnë. Ushtria izraelite ka përdorur edhe më parë metoda të ngjashme propagandistike në zona të tjera konflikti, përfshirë Gazën.
Lini një Përgjigje