
Dyshimet po i tendosin aleancat dhe solidariteti ushtarak nuk mund të shkojë bashkë me luftërat tregtare.
Winston Churchill, tregoi një histori për një takim në vitin 1895, kur ishte një oficer i ri i kalorësisë, me shtetarin e famshëm William Harcourt. Pas disa diskutimesh mbi çështje të mëdha, Churchill e pyeti me padurim: “Çfarë do të ndodhë atëherë?”.
Harcourt iu përgjigj me një vetëkënaqësi tipik për Epokën Viktoriane: “I dashur Winston, përvojat e një jete të gjatë, më kanë bindur se asnjëherë nuk ndodh asgjë!”. Pak njerëz, do të besonin 130 vjet më vonë një iluzion të ngjashëm, në një botë që duket se ia ka dorëzuar veten trazirave të përhershme.
Më së fundmi, Polonia i ka frikësuar kryeqytetet evropiane duke zgjedhur një president të krahut të djathtë që është kundër Bashkimit Evropian. Qeveria britanike, ka njoftuar një rishikim të shumëpritur të strategjisë së mbrojtjes, i cili propozon riarmatimin masiv për të qenë “gati për luftë”, sipas kryeministrit Keir Starmer, ndërsa Ukraina kreu një sulm të jashtëzakonshëm me dronë kundër 5 bazave ajrore shumë të rëndësishme në thellësi të Rusisë.
Por ka edhe më. Në një konferencë të mbajtur në Singapor fundjavën e kaluar, presidenti i Francës paralajmëroi për pasoja të tmerrshme për demokracitë, nëse Rusia do të fitojë në Ukrainë. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u bëri thirrje vendeve aziatike të ngrihen kundër agresionit kinez, ndërsa Ministri i Mbrojtjes i Australisë e sfidoi Kinën që të justifikonte përforcimin e saj të madh ushtarak tokësor dhe detar.
Homologu i tij filipinas, tha se Kina ka qenë “absolutisht e papërgjegjshme dhe e pamatur në përvetësimin e pjesës më të madhe të gjithë Detit të Kinës Jugore, dhe bota nuk mund ta tolerojë këtë”. Ato deklarata u bënë dhe ato ngjarje ndodhën, mijëra kilometra larg njëra-tjetrës.
Por e përbashkëta e tyre, është frika se po rritet kërcënimi i një konflikti të madh midis kombeve, dhe se është shembur rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla. Le të shqyrtojmë së pari disa nga gjërat që u thanë në Singapor.
Uashingtoni u përpoq t’u jepte mesazh kombeve aziatike, se është koha të zgjedhin një anë - të mbështetin SHBA-në për t’u përballur me kërcënimin në rritje nga Kina jo vetëm kundër Tajvanit, por edhe kundër vendeve sovrane në të gjithë rajonin.
Fatkeqësisht, Donald Trump e ka të vështirë të bashkojë kombet aziatike në një solidaritet ushtarak kundër Kinës, teksa zhvillon kundër tyre një luftë tregtare. “Duke sulmuar ndërvarësinë, Trump po minon vetë themelin e fuqisë amerikane”- shkruanin Joseph Nye dhe Robert Keohane në numrin e fundit të revistës Foreign Affairs.
Për më tepër, ka shqetësime se presidenti amerikan mund të arrijë papritur një marrëveshje me Kim Jong Un të Koresë së Veriut, që përfshin një tërheqje të madhe të SHBA-së nga Koreja e Jugut. Për mua nuk është e rëndësishme, nëse Uashingtoni është vërtet afër ofrimit të një degë ulliri për Kim-in.
Më shqetësuese është frika e një kaosi traumatik në Seul dhe gjetkë. Ka shumë pak nxitje për t’u bashkuar me një pakt sigurie në rajonin e Aziatiko-Paqësorit, siç propozojnë disa strategë, në kushtet kur administrata amerikane është e aftë të shkatërrojë çdo lloj marrëveshje vetëm një javë pas nënshkrimit të saj.
Ndër vendet e pakta që janë të gatshme të qëndrojnë me Trumpin është Australia. Edhe pse e indinjuar nga përpjekjet e tij për të vendosur tarifa, australianët mbeten më qartësisht të rreshtuar përkrah Uashingtoni se çdo vend tjetër në rajon, kryesisht për shkak të nismave kineze kundër tyre.
Canberra ka investuar një kapital të madh politik në paktin AUKUS me Britaninë dhe SHBA-në. AUKUS parashikon që të tria vendet të ndërtojnë dhe vendosin një flotë nëndetësesh bërthamore në Australi. Ndërsa do të duhen vite para se të bëhet realitet, australianët e dinë se edhe nëse shkojnë të flenë për një dekadë, Kina do të jetë ende aty kur të zgjohen.
Ndërkohë, në Evropë janë të mëdha të njëjtat pasiguri rreth qëllimeve të SHBA-së. Në çdo kryeqytet, qëndron pezull pyetja: a do ta tërheqë Trump Amerikën nga NATO dhe forcat amerikane nga Evropa? Disa politikanë ngushëllohen nga fakti se 5 muaj pas fillimit të kësaj presidence të trazuar, Trump s‘ka dhënë asnjë shenjë se ka ndërmend të tërhiqet.
Por, shqyrtimi i strategjisë së mbrojtjes në Britani, edhe pse nuk artikulohet askund, nxitet nga i njëjti dyshim që mbizotëron edhe në diskutimet në Singapor. Pra nëse partneriteti me Amerikën, mund të vazhdojë të jetë i besueshëm.
Mesazhi i synuar i Mbretërisë së Bashkuar, gjoja për Moskën, por në fakt për Uashingtonin, është se britanikët po ndërmarrin hapa konkretë, se ata po e marrin seriozisht riarmatimin, siç e ka kërkuar prej kohësh Trump. Mjerisht, Starmer nuk ka plane të shpenzojë aq shumë sa do të duhej për të rikthyer besueshmërinë e forcave tona të armatosura.
Një vlerësim i përafërt - i bazuar tek bisedat e mia me ushtarakët më të lartë - sugjeron se do të duheshin menjëherë rreth 30 miliardë dollarë. Dhe kjo shumë nuk mund të ofrohet dot nga një Ministri Financash, tashmë nën një presion të madh për fonde për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale.
Pas viteve shpërdorime - dhe rritjes së normave të interesit - Britania shpenzon sot gati dyfishin e shumës për interesat e borxhit sesa për mbrojtjen. Megjithatë, e nxitur nga frika e asaj që mund të bëjë më pas Rusia, por edhe nga ajo që mund të mos bëjë më në të ardhmen SHBA-ja, Britania po merr pjesë në diskutime mbi mbrojtjen me Francën, Gjermaninë dhe shtetet e Evropës Veriore.
Këto të fundit, pengohen nga fakti që evropianët e vendeve të Evropës Jugore dhe Hungaria, nuk janë të interesuar për këtë çështje. Ata refuzojnë të gjejnë para për më shumë armë. Për shembull, grekët, pjesërisht të frymëzuar nga një angazhim i përbashkët ndaj Kishës Ortodokse, shfaqin simpati të dukshme për kauzën ruse në Ukrainë.
Kështu, ka përçarje midis anëtarëve të NATO-s. Evropiano-veriorët e dinë se në hartimin e planeve operacionale realiste, do të detyrohen të veprojnë vetëm. Nuk mund të ketë më një front të fortë, siç ekzistonte dikur gjatë Luftës së Ftohtë.
Po ashtu, ata kanë duhet të kapërcejnë shumë vështirësi për ndarjen proporcionale të blerjes së armëve evropiane - me 29 lloje të ndryshme anijesh luftarake, 17 lloje tankesh, 20 avionë të ndryshëm luftarakë dhe 17 sisteme artilerie.
Megjithatë, e përbashkëta midis të gjitha qeverive evropiane, është se po jetojmë në një botë të re: SHBA-ja nuk përfaqëson më një shkëmb, ku Perëndimi u ankorua për kaq shumë dekada, por më shumë një rërë që po na lëviz nën këmbë.
Në esenë e tyre, Nye dhe Keohane kritikuan ashpër faktin që Trump duket se kupton vetëm shtrëngimin si një mjet për t’i nënshtruar aleatët ndaj vullnetit të tij. Ai injoron bindjen dhe rëndësinë e madhe që kanë pasur dikur besimet dhe qëllimet e përbashkëta, ose siç njihet ndryshe fuqia e butë.
Në Singapor, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, u përpoq të linte mënjanë diskutimin për tarifat, duke u përqendruar ekskluzivisht tek nevoja e rritjes së shpenzimeve për armët. Por audienca nuk e pranoi këtë. Kryeministri malajzian, e kritikoi ashpër atë që e quajti një “sulm të fuqishëm ndaj vendosjes arbitrare të kufizimeve tregtare”.
Me fjalë të tjera, Amerika nuk mund të jetë e besueshme edhe si aleate ushtarake edhe si një armike në tregti. Ekuacioni është ndryshe në Evropë. Qeveritë atje janë aq të dëshpëruara për të mbajtur forcat amerikane në kontinent, saqë janë të gatshme të durojnë breshërinë e fyerjeve, dhe në fakt të tarifave, pa rrezikuar një prishje përfundimtare të marrëdhënieve me Uashingtonin.
Por është e vështirë të mbash aleanca, në mesin e dyshimeve se në cilën anë është e rreshtuar sot Amerika, përveç anës së interesave të saj. Ndoshta fakti më domethënës në lidhje me sulmin me dron të Ukrainës mbi bazat ajrore ruse, është se duket i besueshëm pretendimi i Kievit se nuk e njoftoi paraprakisht Uashingtonin.
Pra nuk mund ta besonte administratën Trump, se do t’ia mbante të fshehtë Moskës këtë sekret shumë të rëndësishëm. Shumë vende të tjera ndihen njëlloj. Sjellja e administratës Trump e ka shkatërruar besimin, mallin më të çmuar midis miqve. Dhe tani ai nuk do të rivendoset lehtë./ Përshtati "Pamfleti" nga “Bloomberg Opinion”
Lini një Përgjigje