Bota24 Prill 2023, 15:10

Nga menaxhimi i krizave te siguria kibernetike, BE mision civil në Moldavi

Shkruar nga Pamfleti
Nga menaxhimi i krizave te siguria kibernetike, BE mision civil në Moldavi
Diplomati i BE, Josep Borrell

Këshilli Europian ka ngritur një mision civil në Moldavi “për të rritur qëndrueshmërinë e vendit”.

Sipas një deklarate nga Këshilli, disa nga fushat ku do të përqendrohet misioni do të përfshijnë menaxhimin e krizave, sigurinë kibernetike dhe luftën kundër informacioneve të rreme.

“Si një nga vendet më të prekura nga pasojat e pushtimit ilegal të Ukrainës nga Rusia, ne jemi dëshmitarë të përpjekjeve të shtuara dhe të vazhdueshme ruse për të destabilizuar Moldavinë me veprime hibride.

Sot ne po rrisim mbështetjen e BE për Moldavinë për të mbrojtur sigurinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e saj. Ky mission është një tjetër shenjë e rëndësishme politike e mbështetjes së BE në rrethanat e vështira aktuale.”, tha diplomati i BE-së, Josep Borrell.

Moldavia i kërkoi zyrtarisht BE-në për një mision civil në janar, njoftoi këshilli.

Misionet civile janë dislokimi i personelit joushtarak në një vend, kryesisht me synimin e ndërtimit të paqes. Ato mund të mbulojnë një spektër të gjerë aktiviteti, nga trajnimi i policisë deri te reforma në drejtësi.

Ministrat e jashtëm të BE-së do të takohen të hënën në Luksemburg për të diskutuar disa tema, përfshirë luftën në Ukrainë.

Teksa mbërriti për takimin, Borrell deklaroi se do të diskutohet gjithashtu situata në Moldavi dhe Gjeorgji, pasi “vendet që janë në kufi ndihen më të kërcënuar nga lufta.”

Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov do të kryesojë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën, por ai nuk planifikon të takohet me homologun e tij amerikan, Sekretarin e Shtetit të SHBA Antony Blinken, në margjinat e takimit, sipas zyrtarëve rusë.

menaxhim kriza be moldavi