Një operacion antidrogë në portin e Igumenicës, në Greqi, ka çuar në sekuestrimin e rreth gjysmë toni kanabis të llojit “Skunk”, i cili po transportohej me kamion nga Spanja. Autoritetet greke arrestuan në flagrancë drejtuesin e mjetit, një shtetas bullgar, ndërsa hetimet janë në vijim për zbardhjen e plotë të rrjetit kriminal të përfshirë.Sipas informacioneve paraprake, ngarkesa e drogës ishte nisur nga Valencia e Spanjës dhe kishte ndjekur një itinerar përmes Italisë, përpara se të mbërrinte në portin e Igumenicës. Kamioni ishte vënë nën mbikëqyrje nga autoritetet greke pas informacioneve të marra rreth një muaj më parë nga homologët bullgarë.
Droga u zbulua gjatë kontrollit falë ndërhyrjes së një qeni të trajnuar antidrogë, të quajtur “Vlad”. Sipas pamjeve të publikuara, qeni reagoi në mënyrë të menjëhershme në pjesën e pasme të kamionit, ku brenda kutive me produkte letre, si peshqirë dhe rrotulla, ishte fshehur lënda narkotike.
Drejtuesi i kamionit u arrestua në vendngjarje, por sipas burimeve ai nuk po bashkëpunon me autoritetet dhe ka refuzuar të japë informacion mbi rrjetin e trafikimit.
Autoritetet greke dyshojnë se bëhet fjalë për një organizatë kriminale të strukturuar, me shtrirje nga vendet e Bashkimit Evropian deri në Turqi. Ky i fundit konsiderohet si destinacion i mundshëm përfundimtar, për shkak të çmimit më të lartë të kësaj lënde narkotike në atë treg.
Lini një Përgjigje