
22 Nëntor 1963 - Në SHBA vritet presidenti Xhon F.Kenedi
Xhon Ficxherald Kenedi, presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara, u vra ndërsa ndodhej për një vizitë në qytetin e Dallasit në shtetin e Teksasit. Ai po udhëtonte në makinën presidenciale të hapur nga sipër.
Zonja e Parë e SHBA-së, Zhaklin Kenedi, e shoqëronte rrallë burrin e saj në daljet e tij publike. Por atë ditë tragjike ajo ishte pranë tij, së bashku me guvernatorin e Teksasit, Xhon Konali, dhe gruan e tij, për një shëtitje prej 16 kilometrash nëpër rrugët e qendrës së Dallasit.
Të ulur në një makinë Lincoln kabriolet, çiftet Kenedi dhe Konali po përshëndetnin turmat e mëdha dhe entuziaste të mbledhura përgjatë rrugës së paradës. Ndërsa automjeti i tyre po kalonte pranë Magazinës së Librave Shkollorë të Teksasit në orën 12:30 të pasdites, Li Harvi Osvald dyshohet se qëlloi 3 herë nga kati i gjashtë, duke plagosur për vdekje presidentin Kenedi dhe plagosur rëndë guvernatorin Konali. Kenedi u shpall i vdekur 30 minuta më vonë në Spitalin Parkland të Dallasit. Ai ishte vetëm 46 vjeç.
Zëvendëspresidenti Lindon Xhonson, i cili atë ditë ishte 3 makina pas presidentit Kenedi në autokolonë, u betua si presidenti i 36-të i Shteteve të Bashkuara në orën 14:39.
Ai bëri betimin presidencial në bordin e avionit “Air Force One” që ndodhej në pistën e aeroportit Dallas Love Field. Betimi u dëshmua nga rreth 30 persona, përfshirë Zhaklin Kenedi, e cila mbante ende veshur rrobat e njollosura me gjakun e burrit të saj të ndjerë.
Shtatë minuta më vonë, avioni presidencial u nis për në Uashington. Të nesërmen, më 23 nëntor, presidenti Xhonson shpalli vendimin e tij të parë, 25 nëntorin si Ditë Zie kombëtare për presidentin e vrarë.
Atë të hënë, qindra mijëra njerëz mbushën rrugët e Uashingtonit për t’i dhënë lamtumirën e fundit presidentit të tyre. Pas një meshe në Katedralen Katolike të Shën Mateut, procesioni solemn vazhdoi drejt Varrezave Kombëtare të Arlingtonit, ku udhëheqësit e 99 kombeve ishin mbledhur për funeralin shtetëror.
Po kush ishte vrasësi i pretenduar Li Harvi Osvald? I lindur në Nju Orlins në vitin 1939, ai iu bashkua Marinës Amerikane në vitin 1956. U lirua nga detyra në vitin 1959 për shkak të simpative ndaj komunizmit, dhe 9 ditë më vonë u nis për në Bashkimin Sovjetik, ku u përpoq pa sukses që të bëhej një nënshtetas sovjetik.
Në atë kohë ai punoi në Minsk të Bjellorusisë, ku u martua me një grua sovjetike, dhe në vitin 1962 iu lejua të kthehej në Shtetet e Bashkuara me gruan dhe vajzën e tij të vogël. Në fillim të vitit 1963, ai bleu përmes postës një revolver të kalibrit 38 dhe një pushkë me dylbi.
Më 10 prill në Dallas ai qëlloi po nuk arriti dot që të vriste ish-gjeneralin e ushtrisë amerikane Edvin Uoker, një figurë e njohur për pikëpamjet e tij të ekstremit të djathtë.
Po atë muaj, Osvald shkoi në Nju Orlins dhe themeloi një degë të komitetit “Fair Play for Cuba”, një organizatë pro regjimit të Fidel Kastros.
Ndërsa në shtator 1963, shkoi në Meksiko Siti, ku hetuesit pretendojnë se ai u përpoq të siguronte një vizë për të udhëtuar në Kubë ose për t’u rikthyer në BRSS. Në tetor, ai u kthye në Dallas dhe filloi një punë në Magazinën e Librave Shkollorë në Teksas. Më pak se një orë pasi u qëllua Kenedi, Osvald vrau një polic që e mori në pyetje në rrugën pranë shtëpisë së tij në Dallas. Tridhjetë minuta më vonë, u arrestua në një kinema nga policia, që iu përgjigj raportimeve për një të dyshuar.
Ai u akuzua zyrtarisht më 23 nëntor për vrasjen e presidentit Kenedi dhe oficerit të policisë J.D.Tipit. Më 24 nëntor, Osvald po transportohej nga bodrumi i komisariatit të policisë së Dallasit në një burg më të sigurt. Një turmë policësh dhe gazetarësh u mblodhën për të parë largimin e tij.
Ndërsa Osvald hyri në dhomë, Xhek Rubi doli nga turma dhe e plagosi për vdekje me një të shtënë të vetme. Rubi, që u ndalua menjëherë, pretendoi se e kreu vrasjen nga zemërimi për vrasjen e presidentit. Disa e quajtën hero, megjithatë ai u akuzua për vrasje të shkallës së parë.
Në tetor 1966, Gjykata e Apelit e Teksasit e rrëzoi vendimin me pretendimin se Rubi nuk kishte pasur një gjykim të drejtë në Dallas. Në janar 1967, ndërsa po priste një gjyq të ri, që do të mbahej në Uiçita Folls, Rubi vdiq nga kanceri në mushkëri. Raporti zyrtar i Komisionit hetimor Uorren i vitit 1964, arriti në përfundimin se as Osvald dhe as Ruby nuk ishin pjesë e një komploti më të madh, qoftë vendas apo ndërkombëtar, për të vrarë presidentin Kenedi.
E megjithatë raporti dështoi të heshtë teoritë e konspiracionit që rrethonin ngjarjen, dhe në vitin 1978 Komiteti i Përzgjedhur i Kongresit për Vrasjet, arriti në përfundimin në një raport paraprak se Kenedi “ndoshta u vra si rezultat i një komploti”, që mund të ketë përfshirë disa persona dhe krimin e organizuar.
Në mars të këtij viti, administrata Trump publikoi disa faqe të tjera të dosjes “Kenedi”, megjithatë as ato nuk dhanë një përgjigje të qartë dhe shteruese për një nga ngjarjet më të rënda në historinë e Amerikës.
Ngjarje të tjera të rëndësishme:
22 nëntor 1497 - Eksploruesi portugez Vasko Da Gama, u bë personi i parë që kaloi Kepin e Shpresës së Mirë gjatë udhëtimit të tij drejt Indisë.
22 nëntor 1718 - Pirati famëkeq anglez Eduard Tiç, i njohur si Mjekërziu, u vra nga forcat britanike në një përleshje me armë pranë bregut të Karolinës së Veriut.
22 nëntor 1922 - Arkeologu britanik Hauard Karter zbulon në Egjipt varrin e faraonit të famshëm Tutankhamun.
22 nëntor 1935 - Nisi shërbimi i parë postar ajror trans-paqësor. Avioni “China Clipper” u nis nga San Francisko për në Filipine.
22 nëntor 1943 - Në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, u mbajt Konferenca e Kajros ku Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Kina diskutuan mbi luftën në Paqësor.
22 nëntor 1986 - Boksieri amerikan Majk Tajson u bë kampioni më i ri botëror në kategorinë e peshës së rëndë. Ai ishte vetëm 20 vjeç.
22 nëntor 2005 - Angela Merkel u betua si kancelarja e parë grua e Gjermanisë, duke filluar një dominim 16-vjeçar në politikën evropiane./ Përshtati “Pamfleti”
Lini një Përgjigje