TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Qershor 2025, 22:39

Një grusht shteti ushtarak në Teheran, për ta mbajtur vendin të bashkuar

Shkruar nga Paolo Rossetti

Një grusht shteti ushtarak në Teheran, për ta mbajtur vendin

Boshllëku që do të krijohet, mund të mbushet duke iu drejtuar milicive që udhëhiqen nga pakicat e vendit, ose nga ushtria, e cila mund të kryejë një grusht shteti, duke e paraqitur atë si mënyrën për ta mbajtur Iranin të bashkuar dhe shmangur skenarë më të këqij...

Lufta kundër Iranit, është shndërruar në një mjet për rrëzimin e regjimin e Ali Khameneit, duke e zëvendësuar atë me ushtrinë, pakicat ose një qeveri pro-perëndimore. Izraeli dëshiron ta riformatojë Lindjen e Mesme, dhe po e bën këtë në mënyrën që i përshtatet më së miri: duke e sulmuar pa pushim Iranin.

Por për të zbatuar planin e tij, Benjamin Netanyahu ka nevojë për super-bombat e SHBA-së (GBU-57A/B dhe MOP, Massive Ordnance Penetrator), që mund t’i bëjnë të papërdorshme bazat bërthamore më të mbrojtura të armikut. Por tani objektivi i vërtetë i operacionit ushtarak, duket se është rënia e regjimit.

Camille Eid, gazetare libaneze që jeton në Itali, analiste në gazetën Avvenire, thotë se boshllëku që do të krijohet, mund të mbushet duke iu drejtuar milicive që udhëhiqen nga pakicat e vendit, ose nga ushtria, e cila mund të kryejë një grusht shteti, duke e paraqitur atë si mënyrën për ta mbajtur Iranin të bashkuar dhe shmangur skenarë më të këqij.

Në pritje të konfirmimit zyrtar të hyrjes së SHBA-së në luftë, deklaratat e Trump duket se lënë pak hapësirë ​​për logjikë diplomatike: “dorëzim pa kushte”, “durimi im është sosur”, “ky është ultimatumi im i fundit”, janë shprehje që lënë pak hapësirë ​​për zgjidhje të tjera, përveç atyre që përfshijnë sulme edhe më të forta ndaj Iranit. Edhe pse si zakonisht, presidenti amerikan lë të kuptohet se ka disa dyshime rreth qëllimeve të tij të vërteta.

Pavarësisht nëse Trump vendos të hyjë direkt në luftë apo jo, a përbën kërkesa e tij për dorëzim pa kushte, një njoftim për luftë në shkallë të plotë ndaj Iranit?

Vendimi për të hyrë në luftë është marrë tashmë, edhe pse nuk është shpallur zyrtarisht.

Por amerikanët po ndikonin tashmë në këtë konflikt, jo vetëm duke ndihmuar izraelitët të mbroheshin nga raketat iraniane, por edhe duke i mbështetur ata me logjistikën e tyre, për të siguruar furnizimin me karburant të avionëve luftarakë që sulmuan Iranin.

Pa përmendur punën e shërbimeve sekrete. Tani Izraeli ka nevojë për bombat anti-bunker për të shkatërruar centralin bërthamor në Fordo. Amerikanët do t’i përdorin ato, pasi kanë dërguar në zonë aeroplanmbajtëset, teksa kanë edhe bazat e tyre në Kuvajt, Katar, Bahrein.

A mund t’i sulmojnë iranianët bazat amerikane në këto vende?

Shtetet e Bashkuara e paralajmëruan Iranin të mos i prekë ushtarët e saj. Dhe 24 orë para sulmit, i lejuan të afërmit e ushtarëve të largoheshin nga bazat. Për momentin, Irani s’ka lëvizur në këtë drejtim dhe as nuk i ka mobilizuar të gjitha fraksionet dhe milicitë pro-iraniane të shpërndara midis Irakut dhe Libanit, për të shmangur përkeqësimin e situatës.

Unë nuk e di se sa do të zgjasë kjo luftë, por izraelitët kanë treguar një kapacitet përtej pritshmërive. Ata kanë arritur të bombardojnë deri edhe në zonën e Mashhadit, në verilindjen e largët, dhe falë spiunazhit të tyre kanë vrarë shkencëtarët dhe komandantët e lartë iranianë.

Cila është strategjia që i udhëheq izraelitët?

Netanyahu e nisi luftën me një objektiv të vetëm: shkatërrimin e programit bërthamor. Por më pas, kur njoftoi se kishte neutralizuar aftësitë bërthamore të Iranit, vazhdoi më tej. Kjo është një shenjë se ndoshta në mendje kishte diçka tjetër. Objektivi duket se është rindarja e pushtetit në Lindjen e Mesme.

Pasi goditi të gjitha grupet afër Iranit, si Hamasi dhe Hezbollahu, Izraeli vendosi të shkonte tek burimi dhe të godiste Teheranin. Tashmë ka kontakte si në anën izraelite ashtu edhe në atë evropiane me grupet opozitare kurde, arabe dhe baluçistane, që mund të nisin një sulm përfundimtar ndaj regjimit.

Ky skenar, paralajmëron një copëtim të Iranit. Vendi është shumëetnik: persianët përbëjnë pak më shumë se 50 për qind të popullsisë, por vetë Khamenei është azer. Pra ata po luajnë kartat e tyre për të përmbysur regjimin. Nuk është rastësi, që Trump ka kërkuar dorëzimin pa kushte të Iranit. Nga ana tjetër, nga 16 poste të larta ushtarake në vend, 8 janë riorganizuar ose janë vakante. Izraelitët e kanë goditur kupolën e regjimit, veçanërisht midis Pasdaranëve.

Si po paraqitet Irani në aspektin e kapaciteteve ushtarake?

Unë nuk shoh ndonjë intensitet të madh në lëshimin e raketave drejt Izraelit. Ditën e parë lëshuan 200 raketa, ndërsa netët në vijim numri ra në 30. Ata duhet të kenë ende 1.600 raketa, por në këtë pikë duhet të pyesim veten se ku janë ato, dhe nëse i kanë mbajtur për t’i përdorur më vonë.

Sulmi izraelit synon në fakt ndryshimin e regjimit. Po kujt do t’i jepet pushteti?

Për një kryengritje popullore, nevojitet një forcë e armatosur që ta mbështesë atë. Mund të ndodhë një grusht shteti i brendshëm nga ushtria. Në vitin 1979, ishte pikërisht ushtria ajo që i dha një goditje fatale Shahut, duke u pozicionuar në krah të Khomeinit.

Ata do ta bënin këtë për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet, për t’u siguruar që gjithçka të përfundojë pa shkatërrime të mëtejshme, duke ruajtur të paktën unitetin e vendit. Grupet që janë pjesë e opozitës shpesh veprojnë në Baluçistan, në lindje, dhe në Kuzestan pranë Basrës, por lëvizin lokalisht. Por disa, mbështetin edhe djalin e Shahut, Reza Pahlavi.

Sulmi u përshpejtua sepse bisedimet bërthamore nuk po çonin askund?

Trump ndryshoi mendje brenda një dite mbi negociatat. Në fillim, tha se ishte afër një marrëveshjeje, dhe pak orë më vonë deklaroi se nuk kishte shumë shanse për sukses.

A është dakord SHBA-ja me provokimin e rrëzimit të regjimit?

Deri tani, ata e kanë përdorur kërcënimin iranian për të ushtruar një lloj shantazhi kundër vendeve të Gjirit, të cilat kanë shpenzuar shumë para për kontrata miliarda dollarëshe me SHBA-në, që kanë të bëjnë me mjete ushtarake (për shembull avionët), për ta pasur Uashingtonin në anën e tyre.

Janë po ato para, që amerikanët i përdorën më pas për të financuar Izraelin. Nëse Irani do të bëhet pro-perëndimor, nuk do të ishte më një ‘gogol’ për këto vende. Në këtë kuptim, SHBA-ja ka interes të mbajë në këmbë një regjim si ai aktual, edhe nëse është shumë i dobësuar, për të vazhduar që të ketë këtë lloj ndikimi mbi vendet e Gjirit Persik. Por nga ana tjetër, Izraeli dëshiron të jetë e vetmja fuqi rajonale.

Çfarë dëshiron realisht Izraeli?

Ne po dëshmojmë lindjen e një Lindjeje të Mesme të re. Sipas vizionit të Netanyahut, çdo gjë është e mundur: kryeministri izraelit sheh një regjim të ri në Iran të lidhur me Perëndimin. Tani po alarmohet edhe Pakistani. Vetë Netanyahu ka deklaruar me herët, se sapo të mbarojë punë me Teheranin, do të sulmojë Islamabadin. /Përshtati Pamfleti nga “Il Sussidiario”/

 

 

 

Lini një Përgjigje