Shtetet e Bashkuara kanë transferuar rreth 160 milionë dollarë drejt Kombeve të Bashkuara, nga më shumë se 4 miliardë dollarë që u detyrohen strukturave të organizatës.
Një zëdhënës i OKB-së deklaroi të enjten se pagesa përbën një shlyerje të pjesshme të detyrimeve të prapambetura për buxhetin e rregullt.
“Javën e kaluar, morëm rreth 160 milionë dollarë nga Shtetet e Bashkuara si një pagesë të pjesshme të detyrimeve të prapambetura për buxhetin e rregullt të OKB-së”, citohet të ketë thënë zëdhënësi nga Reuters.
Zyrtarët e OKB-së raportojnë se në fillim të shkurtit SHBA-të i detyroheshin 2.19 miliardë dollarë buxhetit të rregullt, mbi 95 për qind e totalit të papaguar nga të gjitha shtetet anëtare. Për misionet aktuale dhe të mëparshme të paqeruajtjes, detyrimi arrin në 2.4 miliardë dollarë, ndërsa për gjykatat e OKB-së në 43.6 milionë dollarë.
SHBA mbetet kontribuuesi më i madh në buxhetin e organizatës. Megjithatë, gjatë administratës Trump, Uashingtoni ka pezulluar pagesat e detyrueshme për buxhetin e rregullt dhe atë të paqeruajtjes, si dhe ka reduktuar financimet vullnetare për agjencitë e ndryshme të OKB-së. Po ashtu, është tërhequr nga disa agjenci të organizatës.
Pagesa e fundit u njoftua në të njëjtën ditë kur presidenti Donald Trump zhvilloi takimin e parë të
“Bordit të Paqes”, një strukturë që ai e propozoi si pjesë të planit për përfundimin e luftës në Gaza. Në fjalën hapëse, Trump deklaroi: “Ne do t’i ndihmojmë financiarisht dhe do të sigurohemi që Kombet e Bashkuara të jenë të qëndrueshme,”.
“Mendoj se Kombet e Bashkuara kanë potencial të madh, vërtet potencial të madh. Nuk e kanë realizuar ende atë potencial.”, shtoi ai.
Trump e krijoi bordin muajin e kaluar dhe fillimisht e parashikoi si mekanizëm për mbikëqyrjen e një administrate të përkohshme në Gaza pas konfliktit. Një rezolutë e Këshillit të Sigurimit e miratoi strukturën deri në vitin 2027, duke e kufizuar mandatin në territorin e Gazës. Më vonë, Trump deklaroi se bordi do të trajtojë edhe konflikte të tjera globale.
Disa vende, përfshirë shtete të Jugut Global dhe aleatë perëndimorë të SHBA-së, nuk i janë bashkuar nismës. Ekspertë të OKB-së kanë shprehur shqetësim se një strukturë e tillë mund të dobësojë rolin e organizatës dhe kanë theksuar mungesën e përfaqësimit palestinez. Në takimin e së enjtes nuk mori pjesë asnjë përfaqësues i OKB-së.
Lini një Përgjigje