Kryeministri hungarez Viktor Orbán dhe homologu i tij sllovak, Robert Fico, deklaruan se nuk kanë ndërmend të braktisin naftën ruse, duke kundërshtuar hapur presionet nga Bashkimi Evropian.
Dy liderët theksuan se përbërja energjetike është një vendim sovran i çdo shteti dhe nuk duhet të diktohet nga jashtë.
“Nuk ka askush të drejtën të na thotë se nga kush duhet të marrim gazin dhe naftën,” u shpreh Fico gjatë një fjalimi para një grupi qytetarësh në qytetin hungarez të Esztergom. Ai shtoi se “sipas të drejtës ndërkombëtare, është e drejtë sovrane e një vendi të përcaktojë vetë përbërjen e burimeve të tij energjetike.”
Fico mbështeti hapur qëndrimin e Orbánit, duke e cilësuar synimin e BE-së për të ndërprerë varësinë energjetike nga Rusia si një “vendim politik dhe ideologjik” që, sipas tij, nuk do të godasë vetëm Sllovakinë dhe Hungarinë, por do të dëmtojë të gjithë kontinentin evropian.
Të dy liderët argumentuan se braktisja e furnizimeve përmes naftësjellësit Druzhba është ekonomikisht dhe teknikisht e pamundur, për shkak të pozicionit të tyre gjeografik të mbyllur pa dalje në det, që e bën të vështirë diversifikimin e burimeve energjetike.
Ky qëndrim i vendos ata në kundërshtim me politikat e BE-së dhe SHBA-ve, të cilat po shqyrtojnë masa më të rrepta ndaj eksporteve të mbetura të naftës bruto ruse.
Orban dhe presidenti sllovak, Peter Pellegrini, e diskutuan këtë çështje javën e kaluar gjatë një takimi me presidentin amerikan Donald Trump.
Sipas Ficos, takimi ishte “konstruktiv dhe i frytshëm”.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u bëri thirrje vendeve evropiane të "ndalojnë blerjen e naftës nga Rusia", duke theksuar se sanksionet që kanë vendosur ndaj Rusisë nuk janë mjaftueshëm të ashpra.
"Vendet evropiane janë miqtë e mi, por ato blejnë naftë nga Rusia. Ne nuk mund të pritet që ne të jemi të vetmit të cilët kundërshtojmë që Evropa të blejë naftë nga Rusia. Nuk dua që ata të blejnë naftë. Sanksionet që ata kanë vendosur nuk janë mjaftueshëm të ashpra. Unë jam gati të vendos sanksione, por edhe ata do të duhet t'i ashpërsojnë sanksionet e tyre në përputhje me atë që bëj unë", tha Trump.
Duke deklaruar se është gati të ndërmarrë veprime kundër Rusisë, Trump mbrojti idenë se edhe vendet evropiane duhet të ndjekin një politikë të ngjashme.
Ai pretendoi se vendet evropiane aktualisht vetëm po flasin, por nuk po ndërmarrin veprime. "Ne nuk po blejmë naftë nga Rusia. Ata po blejnë shumë naftë nga Rusia. Nuk ishte kjo marrëveshja", theksoi Trump.
Trump shtoi se Rusia dhe Ukraina ende nuk janë ulur ende në tryezë për të negociuar një "marrëveshje të mundshme paqeje" sepse e urrejnë shumë njëra-tjetrën dhe se ai nuk është i kënaqur nga kjo.
Lini një Përgjigje