Duke iu drejtuar turmës së mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Leoni XIV reagoi ndaj zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, në një moment tensioni të shtuar pas sulmeve të ndërsjella mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Tensionet u rritën pas goditjeve ajrore të raportuara nga SHBA-ja ndaj objektivave të lidhura me forcat pro-iraniane në rajon, si dhe reagimeve të mëvonshme nga ana e Iranit. Zhvillimet kanë shtuar shqetësimet ndërkombëtare për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit dhe për destabilizim më të gjerë rajonal.
“Po ndjek me shqetësim të thellë atë që po ndodh në Lindjen e Mesme dhe në Iran, në këto orë dramatike. Stabiliteti dhe paqja nuk ndërtohen me kërcënime të ndërsjella dhe as me armë, të cilat mbjellin shkatërrim, dhimbje dhe vdekje, por vetëm përmes një dialogu të arsyeshëm, autentik dhe të përgjegjshëm”, deklaroi Ati i Shenjtë.
Ai theksoi se ekziston rreziku i një përshkallëzimi me pasoja të rënda për popullsitë civile dhe për stabilitetin rajonal. “Përballë mundësisë së një tragjedie me përmasa të jashtëzakonshme, u bëj thirrje me shqetësim të thellë palëve të përfshira të marrin përsipër detyrimin moral për të ndalur spiralen e dhunës, përpara se ajo të kthehet në një humnerë të pakthyeshme. Diplomacia duhet të rikthejë rolin e saj dhe të promovohet e mira e popujve, të cilët presin një bashkëjetesë paqësore të bazuar në drejtësi. Le të vazhdojmë të lutemi për paqen”, shtoi Papa.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur disa vende dhe organizata ndërkombëtare kanë bërë thirrje për përmbajtje dhe për rifillimin e kanaleve diplomatike mes Uashingtonit dhe Teheranit, me qëllim shmangien e një krize më të thellë në rajon.
Perfaqesimi i Thjeshtësise dhe Diturise se nje Pape ne Vatikan. Papa Leoni XIV.