Objektivi i sulmeve SHBA-Izrael është ambicioz. Në ballë të objektivave ishte Udhëheqësi Suprem i Republikës Islamike, Ali Khamenei, vdekja e të cilit u konfirmua të dielën nga media shtetërore iraniane. Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu po synojnë gjithashtu aftësitë e raketave balistike të vendit.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë përcaktuar me kujdes, pa e përmendur në mënyrë të qartë, objektivin maksimalist të luftës që nisën në Iran të shtunën, më 28 shkurt; rënien e regjimit. iranian.
Lista e tyre e objektivave është e pafundme, objektet bërthamore të vendit, arsenali i tij raketor, aftësitë e tij hakmarrëse dhe aparati i tij i brendshëm represiv.
Në ballë të këtyre objektivave ishte Udhëheqësi Suprem i Republikës Islamike, Ali Khamenei. Vdekja e tij u njoftua nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump përpara se të konfirmohej në orën 5:00 të mëngjesit sipas orës lokale (2:30 të mëngjesit sipas orës së Parisit) nga media shtetërore iraniane. Të dielën në mëngjes, autoritetet iraniane njoftuan gjithashtu vdekjen e disa komandantëve të lartë të forcave të armatosura në një sulm që i atribuohet Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Midis viktimave ishin Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Gjenerali Abdolrahim Mousavi; Komandanti i Përgjithshëm i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, Gjenerali Mohammad Pakpour; Admirali Ali Shamkhani, këshilltar i Udhëheqësit Suprem dhe Sekretari i Këshillit të Mbrojtjes gjenerali Aziz Nasirzadeh.
Sipas ish-zyrtarëve të lartë të inteligjencës izraelite, ekspertë të Iranit të konsultuar nga Le Monde gjatë dy muajve të fundit, vdekja e Udhëheqësit Suprem përbënte një kusht paraprak. Ata e konsideronin të domosdoshme që një operacion i jashtëm ushtarak, pa dislokim trupash tokësore, të dobësonte regjimin deri në krijimin e përçarjeve të brendshme. Vetëm atëherë do të mund të ndodhnin dezertime brenda aparatit të sigurisë, në rast të një vale të re protestash popullore kundër regjimit.
Donald Trump kishte inkurajuar valën e fundit të protestave në janar, të cilën Republika Islamike e shtypi me forcë. Të shtunën, ai u bëri thirrje kundërshtarëve të rikthehen në rrugë pas përfundimit të luftës. “Kur të kemi mbaruar, merrni kontrollin e qeverisë suaj, – u tha ai. – Ju takon ta merrni. Kjo ndoshta do të jetë mundësia juaj e vetme për breza të tërë.”
Sipas analizës së Le Monde, kjo përbën një bast dhe një rrezik të madh, por edhe një mënyrë për të shmangur përgjegjësinë për mbijetesën e regjimit nëse ai i reziston sulmeve ajrore, siç shprehte bindje Teherani javët e fundit. Në këtë mënyrë, Trump ruan mundësinë të zhvendosë përgjegjësinë te populli iranian.
Arsenali i raketave në shënjestër
Izraeli e kishte nisur luftën e mëparshme kundër Iranit në qershor 2025 duke goditur një pjesë të shtabit të përgjithshëm dhe duke vrarë shkencëtarë bërthamorë. Në atë kohë, objektivi ishte më i kufizuar. Tel Avivi synonte programin bërthamor dhe kapacitetet ushtarake të kundërpërgjigjes. Ai neutralizoi mbrojtjen kundërajrore të Iranit dhe siguroi liri veprimi në hapësirën ajrore, përpara se të godiste sistematikisht objektivat për dymbëdhjetë ditë.
Vetëm në ditën e katërt Izraeli goditi një objektiv të rëndësishëm politik: një mbledhje të zyrtarëve dhe përfaqësuesve më të lartë në Këshillin Suprem të Sigurisë Kombëtare. Të gjithë i mbijetuan sulmit. Intensiteti i operacionit izraelit e bindi Donald Trump t’i bashkohej ndërhyrjes në ditën e dhjetë, duke dërguar bombarduesit B2, të vetmit të aftë për të goditur instalime bërthamore thellësisht të mbrojtura nën tokë.
Tani operacionin e drejton Uashingtoni. Sipas portalit amerikan Axios, aviacioni amerikan u përqendrua në orët e para të së shtunës në arsenalin raketor dhe kapacitetet kundërpërgjigjëse të Iranit. Trump deklaroi se ushtria do të “asgjësojë industrinë e tyre të raketave. Ajo do të zhduket plotësisht”, ashtu si edhe “flota detare” iraniane.
Eksperti Raz Zimmt nga Instituti Izraelit për Studime të Sigurisë Kombëtare shkroi në rrjetin X: “Për t’i përfunduar këto luftime ndryshe [nga qershori 2025], duhet të arrihen dy objektiva. Së pari, duhet të dëmtohen themelet e regjimit, në mënyrë që ai ta ketë të vështirë të ruajë kohezionin e brendshëm, të rindërtojë kapacitetet dhe, sa më shumë të jetë e mundur, të funksionojë (…). Së dyti, duhet të parandalohet rindërtimi i arsenalit balistik iranian, duke mos u mjaftuar me goditjen e lëshuesve dhe bllokimin e tuneleve, si në qershor 2025, por duke shkaktuar dëme shumë më të mëdha në infrastrukturën nëntokësore dhe kapacitetet prodhuese.”
Sipas burimeve diplomatike rajonale dhe perëndimore të cituara nga Le Monde, planifikimi për këtë fazë kishte nisur pas luftës së qershorit 2025. Kryeministri Benjamin Netanyahu i kishte kërkuar disa herë Shtëpisë së Bardhë leje për të goditur sërish kapacitetet balistike të Teheranit, por pa sukses. Sipas një burimi izraelit, Trump pranoi në dhjetor, gjatë një takimi në Mar-a-Lago.
Burime perëndimore kishin parashikuar operacionin për vitin 2026. Megjithatë, protestat masive të janarit në Iran hapën “një epokë të re”, sipas një ish-zyrtari të lartë të sigurisë izraelite, i cili e konsideron tashmë “realist” një rrëzim të regjimit. “Aparati i sigurisë izraelit është në gjendje të përshtatet brenda një muaji me këtë realitet të ri” dhe të planifikojë një operacion me objektiva kaq të gjera, deklaroi ai në shkurt.
Premtimi për shkatërrimin e flotës detare
Objektivat maksimaliste shpjegojnë edhe vendimin e Izraelit për t’iu bashkuar valës së parë të sulmeve. Në janar, Tel Avivi kishte mbajtur profil të ulët për shkak të perceptimit negativ mes iranianëve, duke preferuar që SHBA-ja të merrte rolin kryesor si “udhëheqës i botës së lirë”.
Megjithatë, gjatë shkurtit, Izraeli sinjalizoi përfshirjen e tij përmes vizitave të shpeshta në Uashington të drejtuesve të lartë të sigurisë, përfshirë drejtorin e Mossad-it, shefin e inteligjencës ushtarake, shefin e shtabit dhe kryeministrin.
Rrëzimi i regjimit do të përbënte një fitore politike për Benjamin Netanyahu, i cili e ka ndërtuar karrierën mbi kundërshtimin e kërcënimit “ekzistencial” iranian. Që prej sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ai ka deklaruar se lufta në rajon mund të përfundojë vetëm në Teheran. Një zyrtar i Likud-it deklaroi para sulmeve: “Vetëm një sukses i tillë mund të na lejojë të fitojmë zgjedhjet e vitit 2026. Pa këtë, humbja është e sigurt.”
Megjithatë, brenda aparatit të sigurisë izraelite kishte rezerva për mundësinë e rrëzimit të regjimit. Sipas burimeve izraelite, shumica mbështeste goditje ndaj programeve balistike dhe bërthamore dhe shpresonte në përshpejtimin e dobësimit gradual të regjimit. Ata vinin në pikëpyetje gatishmërinë e Trump për një objektiv kaq ambicioz, duke qenë se presidenti amerikan kërkon të shpallë një rezultat të qartë pas një operacioni relativisht të shkurtër.
Të shtunën, Trump iu drejtua drejtpërdrejt Gardës Revolucionare dhe “të gjitha forcave të policisë”, duke i ftuar të dorëzojnë armët në këmbim të “imunitetit të plotë”. Analistët vlerësojnë se pikërisht dezertime të tilla synojnë të nxisin sulmet masive.
Trump premtoi gjithashtu të “shkatërrojë” flotën iraniane, duke lënë të kuptohet për goditje ndaj infrastrukturës portuale. Një veprim i tillë do të prekte eksportet e naftës, burimin kryesor të të ardhurave të regjimit. Rreth 80% e naftës bruto iraniane eksportohet drejt Kinës, e cila javët e fundit ka shprehur për herë të parë mbështetje të qartë ushtarake për Teheranin.
Goditja e flotës synon edhe parandalimin e mbylljes së ngushticës së Hormuzit, një korridor kyç për eksportin global të naftës dhe gazit të lëngshëm.
Një ish-zyrtar i lartë i inteligjencës izraelite kishte sugjeruar në shkurt që infrastruktura të tilla të mos goditen herët, për të shmangur perceptimin se objektivi është shteti iranian dhe jo vetëm regjimi. Sipas Raz Zimmt, goditje të tilla mund ta bindin Teheranin të mos e zgjasë luftën, pasi SHBA-ja dhe Izraeli të kenë arritur objektivat e tyre ushtarake./ Le Monde
Lini një Përgjigje