TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Korrik 2025, 16:28

Përballë përbindëshit që i rrëmbeu jetën/ Roberto Saviano merr drejtësi pas 17 vitesh, dënohet bosi mafioz që 'firmosi' vrasjen e tij

Shkruar nga Pamfleti

Përballë përbindëshit që i rrëmbeu jetën/

“20 vjet në arrati nga vdekja”: Frika që s’pushon për Roberto Saviano-n

Roberto Saviano, shkrimtari dhe gazetari më i njohur italian në luftën kundër mafies, shpërtheu në lot të pamëshirshëm në sallën e Gjykatës së Apelit në Romë, teksa dëgjonte vendimin e shumëpritur që vulosi dënimin e përjetshëm të Francesco Bidognetti-t, kreu famëkeq i klanit Casalesi, i njohur si “Cicciotto ‘e mezzanotte”.

Përballë ekranit të videolidhjes që transmetonte fytyrën e njeriut që prej vitit 2008 i kishte kthyer jetën në një burg të blinduar, Saviano nuk mbajti dot më peshën e emocioneve. I përqafuar me avokatin e tij Antonio Nobile, midis lotëve përsëriste: “Më kanë vjedhur jetën, më kanë thërrmuar…”.

Një jetë e çmontuar nën mbrojtje policore

Prej botimit të romanit “Gomorra” në vitin 2006, një akt denoncues ndaj perandorisë së krimit në jug të Italisë, Saviano është nën mbrojtje të përhershme të policisë. Jo për luks, por për të shmangur një vdekje të paralajmëruar.

Nuk jam më në gjendje të menaxhoj këtë jetë. Trupi im duhet të ruhet. Kam 20 vjet që jetoj i ndjekur nga vdekja”, u shpreh ai me zë të ngjirur. “Dikur thonin se mbrojtja ishte privilegj. Por unë çdo ditë ëndërroj pak liri, një udhëtim me motor, një shëtitje…”, shtoi ai.

Saviano kujtoi marsin e errët të vitit 2008, kur Bidognetti përmes avokatit të tij lëshoi në sallën e gjyqit Spartacus një “proklamatë”, e cila sipas prokurorisë ishte në të vërtetë një urdhër ekzekutimi ndaj tij dhe gazetares Rosaria Capacchione. Vetëm katër ditë më vonë, ai u tërhoq me urgjencë nga Kampania drejt një ishulli të fshehtë... pa kthim.

Nëpër lagjet e Casalesi-t, po më kërkonte Giuseppe Setola, shefi i krahut më të dhunshëm të mafies, përgjegjës për masakrën ndaj emigrantëve nga Gana. Kishte filluar gjuetia e njeriut”, tha ai.

“Për herë të parë, në gjyq u godit gazetaria, jo politika”

Ky vendim, që vjen 17 vite pas, ka një vlerë historike për vetë Saviano-n: “Kjo është sentenca më e rëndësishme e jetës sime. Sepse nuk ka ndodhur asnjëherë që në një sallë gjyqi, objektivi të mos jetë politika, por gazetaria”, tha ai.

Dhe ndërsa publiku brohoriste, politika italiane mungonte krejtësisht në sallë. “A ishte vallë ndonjë përfaqësues i saj këtu? Nuk e pashë,” përfundoi ai me një hidhërim të thellë.

Kush është Roberto Saviano?

Një ikonë e luftës kundër mafies moderne, autor i romanit “Gomorra” (2006), i cili ka shitur mbi 10 milionë kopje dhe është kthyer në serial dhe film të suksesshëm ndërkombëtar. Artikujt e tij janë botuar në The Guardian, El País, Washington Post dhe shumë të tjera.

Prej më shumë se 18 vitesh jeton nën mbrojtje të plotë, i izoluar, i survejuar, pa jetën e zakonshme që ne të tjerët e marrim të mirëqenë. Ai ka fituar disa nga çmimet më prestigjioze për lirinë e fjalës dhe gazetarinë kritike, por çmimin më të hidhur ia ka dhënë vetë sistemi: vetmia dhe një jetë e ndërprerë. /Pamfleti

Lini një Përgjigje