Bota29 Mars 2023, 18:38

Perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, presidenti austriak në Shkup: Mos humbni kohë, ndryshoni Kushtetutën

Shkruar nga Pamfleti

Perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, presidenti austriak

Presidenti i Austrisë, Aleksandar Van der Belen, ka kërkuar nga autoritetet maqedonase që sa më parë të miratojnë ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme sipas tij në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Pas takimit me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovaki, ai tha se Shkupi duhet të vazhdojë të jetë shembull në rajon sa i përket respektimit të të drejtave të pakicave kombëtare.

Kjo nuk ka të bëjë vetëm me shqiptarët, por me të gjitha pakicat tjera. Që procesi integrimit evropian të ecë përpara duhet të bëhet edhe një hapë tjetër, të miratohen ndryshimet kushtetuese, ashtu siç jeni marrë vesh. Unë i kuptoj frustrimet sa i përket zgjatjes së procesit të integrimit evropian, por pikërisht për shkak të kësaj është me rëndësi që të shfrytëzohet momenti aktual dhe mos të humbet edhe më shumë kohë. Ju keni mbështetjen tonë të plotë”, tha presidenti austriak gjatë konferencës për media, më 29 mars, në Shkup.

Ndryshimet duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës maqedonase, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike.

Van der Belen i bëri thirrje opozitës maqedonase, që drejtohet nga VMRO DPMNE-ja, që t’i mbështes ndryshimet, për të cilat nevojiten dy të tretat, apo 80 nga 120 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Por, shumica parlamentare aktualisht ka 74 vota, që do të thotë se pa votat e opozitës ndryshimet nuk mund të bëhen.

Pendarovski tha se ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen, pasi sipas tij nuk do të ketë kornizë negociuese më të mirë se kjo që është arritur me BE-në.

Korniza për të cilët është biseduar disa muaj parasheh përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë dhe ajo duhet të miratohet. Këto ditë besoj se do të formohet grupi i ekspertëve, i cili do të nis punën për hartimin e amendamenteve kushtetuese – të cilat më pas duhet të miratohen në Kuvend”, tha ai.

Sipas tij, nëse këto ndryshime nuk kalojnë atëherë Sofja sërish mund të bllokojë procesin e bisedimeve.

Maqedonia e Veriut është shteti i vetëm në botë që ndryshoi emrin e shtetit që të fillojë bisedimet me BE-në për anëtarësim, por akoma pret në oborrin e unionit edhe pse formalisht ka nisur bisedimet. Me qëllim të ruajtjes së kredibilitetit në rajon dhe më gjerë, Bashkimi Evropian nuk duhet të lejojë që ndonjë anëtare e saj të paraqes ndonjë kërkesë apo të problematizojë ndonjë çështje me kritere që nuk kanë asnjë lidhje me anëtarësimin në BE. Të bllokoni një shtet për shkak të çështjeve me identitetin apo çështje historike është e papranueshme dhe nuk duhet të lejohet”, tha presidenti maqedonas.

Ndërsa presidenti austriak shprehu i mirënjohje për Maqedonisë së Veriut, e cila i mbështeti sanksionet e bllokut kundër Rusisë dhe ofroi ndihmë për Ukrainën.

Maqedonia e Veriut është shembull shumë i mirë edhe për bashkëpunimin rajonal, përfshirë edhe procesin për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Para dhjetë ditëve këtu ishte nikoqir i bisedimeve mes dy vendeve. Ajo po jep rol të rëndësishëm edhe me kryesimin e OSBE-së”, tha ai.

Më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes shteteve, apo siç njihet ndryshe edhe si propozimi evropian. Më 18 mars, palët u pajtuan në Ohër për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje./REL

 

maqedoni anëtarësimi be