
Prokuroria ka publikuar aktakuzat kundër ish-presidentit Donald Trump. Ky i fundit doli sot para gjykatës dhe është njohur me 34 akuza.
Prokurorët pretenduan se Trump ishte pjesë e një plani të paligjshëm për të mos lejuar deklaratat e një pornostareje, se ai kishte pasur marrëdhënie me të. Ai ka pagur 130.000 dollarë me qëllim që të mos dëmtohej fushata e tij.
Akuzat penale rrjedhin nga hetimi i Prokurorit të Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, për pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, ndaj grave që pretenduan se kishin lidhje jashtëmartesore me Trump, gjë që ai e mohon.
Prokurorët pretenduan se ish-presidenti Donald Trump ishte pjesë e një komploti të paligjshëm për të minuar integritetin e zgjedhjeve të vitit 2016.
Në vitin 2016, gjatë kohës kur Trump po përgatitej të bëhej president, ylli i filmit për të rritur, Stormy Daniels kontaktoi me mediat dhe ju ofroi atyre kundrejt pagesës, informacione që provonin se ajo dhe Trump kishin pasur lidhje jashtëmartesore.
Ekipi i presidentit Trump e kuptoi këtë dhe avokati i tij Michael Cohen mori përsipër të mbylli çështjen që të mos bëhej publike dhe pagoi pornostaren Daniels, 130,000 dollarë për të heshtur.
Sipas aktakuzës, kryeredaktori dhe CEO i National Enquirer iu afrua Michael Cohen menjëherë pasi kaseta Access Hollywood u bë publike në tetor 2016 dhe i tha Cohen se ylli i filmave për të rritur Stormy Daniels po pretendonte se kishte një lidhje me Donald Trump.
Cohen, thotë aktakuza, negocioi një pagesë me Daniels për të "siguruar heshtjen e [Daniels] dhe për të parandaluar zbulimin e informacionit të dëmshëm në javët e fundit përpara zgjedhjeve presidenciale".
Trump, megjithatë, dyshohet se e udhëzoi Cohen që të ndalonte pagesën e Daniels për aq kohë sa të ishte e mundur.
“Ai e udhëzoi [Cohen] që nëse mund ta shtynin pagesën deri pas zgjedhjeve, me qëllim që ata mund të shmangnin pagesën fare, sepse në atë moment nuk do të kishte rëndësi nëse historia do të bëhej publike”, thuhet në aktakuzë. Prokurorët thanë në gjykatë të martën se synojnë që ish-aktorja e filmave për të rritur Stormy Daniels të jetë dëshmitare në proces.
Në akuzën e dytë, AMI dyshohet se i ka paguar 150,000 dollarë një gruaje që pretendonte se kishte kryer marrëdhënie seksuale me Trump. Kur Trump urdhëroi një avokat që të rimbursonte AMI-në në para, një avokat special i tregoi atij se pagesa duhet të bëhej nëpërmjet një kompanie offshore dhe jo me para cash. AMI përfundimisht nuk pranoi rimbursimin pasi u konsultua me avokatin e tyre;
Në akuzën e tretë, 12 ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme presidenciale, këshilltari special i Trump dërgoi 130,000 dollarë për një avokat për një aktore filmash pornografikë
Pasi fitoi zgjedhjet, Trump e rimbursoi avokatin special përmes një sërë pagesash mujore, fillimisht nga fondi i TIJ dhe më vonë nga llogaria e tij bankare. Në total janë lëshuar 11 çeqe për qëllime të dyshimta
Nga gushti 2015 deri në dhjetor 2017, Trump dyshohet se ka orkestruar një skemë për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 duke identifikuar dhe blerë informacione negative rreth tij për të mos lejuar publikimin e tyre
Më tej bëhet me dije se çdo akuzë penale me të cilën përballet Donald Trump lidhet me një hyrje specifike në të dhënat e biznesit të organizatës “Trump”. Prokurorët e Manhatanit akuzojnë Trump se ka lejuar vazhdimisht shënime të rreme në të dhënat e biznesit, për të fshehur pagesat në fjalë.
Prokurori i çështjes kundër ish- presidentit amerikan Donald Trump, ka dhënë një deklaratë pas përfundimit të seancës së sotme. Alvin Bragg deklaroi se nuk mund të lejohet që bizneset e Nju Jorkut të manipulojnë të dhënat e tyre për të mbuluar sjelljen kriminale.
“Populli i Shtetit të Nju Jorkut pretendon se Donald Trump falsifikoi në mënyrë të përsëritur të dhënat e biznesit të Nju Jorkut për të fshehur krimet që fshihnin informacione nga publiku votues gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.
Manhattan është shtëpia e tregut më të rëndësishëm të biznesit të vendit. Ne nuk mund t’i lejojmë bizneset e Nju Jorkut të manipulojnë të dhënat e tyre për të mbuluar sjelljen kriminale.
Gjurmët e parave dhe gënjeshtrave ekspozojnë një model që, pretendon se shkel një nga ligjet themelore të biznesit të Nju Jorkut”, tha ai.
“Çdo çek është përpunuar nga Organizata Trump, dhe çdo çek është maskuar si pagesë për shërbimet ligjore të kryera në një muaj të caktuar të vitit 2017 në bazë të një marrëveshjeje paraprake. Regjistrimet e pagesave, të mbajtura nga Organizata Trump, ishin të dhëna të rreme biznesi. Në të vërtetë, nuk kishte asnjë marrëveshje dhe avokati nuk paguhej për shërbimet ligjore të ofruara", thuhet në aktakuzë. Sipas prokurorëve, ka pasur shumë raste kur paratë kanë dalë dhe nga vetë llogaria e Trump.
Lini një Përgjigje