Bota 1 Qershor 2023, 09:14

Protestë në Mal të Zi në mbështetje të serbëve në veri të Kosovës, shpalosin imazhe të Putinit

Shkruar nga Pamfleti

Protestë në Mal të Zi në mbështetje të

Pasditen e së mërkurës, disa qindra qytetarë u mblodhën para një kishe në Podgoricë të Malit të Zi, në mbështetje të serbëve në Kosovë.

Disa prej këtyre qytetarëve mbanin veshur bluza me mbishkrimet “Vëllai për vëllain, nuk ka dorëzim”, “Kosova është Serbi”, “Mali i Zi – Rusi”, madje kishte të atillë që mbanin edhe imazhin e presidentit rus, Vladimir Putin.

Organizatorët nuk dihen publikisht, pasi që ftesa për këtë tubim ishte shpërndarë në rrjete sociale, ku thuhej se është organizuar nga një grup i qytetarëve.

Pjesë e këtij tubimi ishin edhe disa deputetë të partive të vogla pro serbe si Bogdan Bozhoviç nga Partia Popullore Socialiste dhe Marko Millaçiç nga Mali i Zi i Vërtetë, si dhe bartësi i listës zgjedhore të Koalicionit Popullor, Dejan Vukshiç.

Tubim i ngjashëm pritet të mbahet edhe këtë të enjte në qytetin e Nikshiqit.

Rreth një e treta e banorëve të Malit të Zi identifikohen si serbë dhe rreth dy të tretat i takojnë një dege lokale të Kishës Ortodokse Serbe.

Tensionet me Beogradin janë zbutur ndjeshëm nga koha kur Mali i Zi e shpalli pavarësinë në vitin 2006, por çështjet e identitetit kombëtar malazez dhe kulturës së përbashkët shkaktojnë ende dilema.

Në tri komuna në veri të Kosovës, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, qytetarët serbë po protestojnë kundër vendosjes së kryetarëve shqiptarë në objektet e komunës.

Ata kanë dalë në rrugë nga e premtja, kur me urdhër të qeverisë, kryetarët e këtyre komunave u vendosën nëpër objekte komunale me asistim të policisë.

Serbët lokal po kërkojnë që kryetarët të largohen bashkë me Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës.

 

mali i zi serbët kosova